Ndërlidhjet

Irak: Ashpërsohet kodi i veshjes për femra

  • RFE /RL

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Femrat në Bagdad të Irakut duket se janë ndjerë të lira për të shkuar në tregun e lagjes Kadimija.

Por tash, derisa aktivistët po imponojnë kod strikt të veshjes islamike për vizitorët femra dhe banoret, ky disponim ka ndryshuar.

Në lagjen Kadimija të Bagdadit, që kryesisht është e banuar me popullatë shiite myslimane, duket se janë dy kode të veshjes për femra.

Në rrugë, gratë ishin të lira të veshin çka dëshironin dhe kjo vlente edhe për tregun tejet të vizituar, e në të cilin vijnë njerëzit nga i gjithë Bagdadi.

Vetëm nëse ato vendosin të hyjnë në tempullin fetar pas tregut, atëherë kjo nënkupton aplikimin e kodit strikt të veshjes. Në këtë rast ato duhet të jenë të veshura me ferexhe.

Por, tash gjërat kanë ndryshuar. Vullnetarët patrullojnë në sheshet kryesore afër tempullit dhe kërkojnë që gratë të jenë të veshura në pajtueshmëri me rregulla.

Aktivistja për të drejtat e grave, Navf al-Falahi, thotë se njëra nga të afërmet e saj, që jeton në këtë lagje, aktualisht ishte ndalur nga policët moralë të vetë-zgjedhur.

Ajo dhe burri i saj ishin ndalur në postbllokun në hyrje të Kadimijas. Personat aty nuk e lejuan gruan të kaloj. Ata e urdhëruan atë që ta mbulonte fytyrën dhe supet. Tash ajo e mbanë shallin në çantë dhe e bartë për të kaluar më lehtë në lagjen e saj”, tha Al-Falahi.

Meshkujt, po ashtu, janë në shënjestër të kodit të veshjes më të ashpër. Ata tash më publikisht nuk mund të bartin pantallona të shkurtra ose të veshura të ngushta për trupi, dhe duhet të veshin pantallona të gjata dhe këmisha.

Mbetet mister se kush ka dorë në këtë politikë të veshjes strikte.

Ministria e brendshme e hedhë poshtë çfarëdo lidhjeje me këtë politikë, por, poashtu, nuk ka bërë asgjë t’i pengoj njerëzit në lagje, që i keqtrajtojnë femrat.

Kjo praktikë është në linjë me trendet në qytetet e shenjta shiite, siç janë Naxhafi dhe Qerbelaja, ku observohet në mënyrë strikte kodi i veshjes.

Ky zhvillim i ka ndarë banorët e lagjes në Kadimija në dy grupe: disa e kundërshtojnë, ndërsa disa të tjerë janë në favor të këtij kodi të veshjes.

Personi Judi, që është pronar i një shitoreje me rroba dhe pëlhura, e kundërshton kontrollin e veshjes.

Ne që kemi shitore në Kadimija mendojmë se kjo politikë i parandalon klientët që të vijnë në treg në dyqanet me ar e me veshje. Prandaj, mendoj se ata që janë përgjegjës duhet të mendojnë përsëri. Mendoj se femrat duhet të bartin ferexhe brenda tempullit, por jo në rrugë”, thotë Judi.

Por, ata që janë në favor të rregullave më të ashpra të veshjes, thonë se kjo gjë tregon respekt përkatës për gjithë lagjen si hapësirë e tempullit.

Në këtë kuadër ja se çka thotë Raja, banore e lagjes:

Nëse femrat vijnë në këtë vend fetar, ato duhet ta respektojnë atë. Ato duhet të veshin gjëra modeste pa makijazh të tepërt. Nëse unë shkoj në park, në kopsht ose në dasmë, a është në rregull që të vishem njejtë sikur në hapësirë fetare?”, pyetet Raja.

Derisa zhvillohet debati për kodin e veshjes në Kadimija, disa vëzhgues këtë e shohin si pjesë e një çështjeje më madhe.

Hana Edvar, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe kryesuese e Asociacionit Amal në Irak, me seli në Bagdad, thotë:

Ky vendim për ferexhe, është pjesë e hapave nga qeveria dhe parlamenti për ta ndërtuar në shtet fetar. Kushtetua e Irakut fton për shtet civil, jo shtet religjioz”, thotë Hana Edvar.

Në mesin e hapave që i shqetësojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë lëvizjet e Ministrisë së brendshme për t’i shtuar lidhjet me establishmentin religjioz shiit irakian.

Sheiku Mohamed al-Mansour, klerik i lartë në Bagdad, i tha Radios Evropa e Lirë se lidhjet e afërta përfshijnë edhe shtimin e Departamentit për çështje fetare brenda Ministrisë së brendshme.

Në Ministrinë e brendshme ekziston Departamenti i veçant për çështje fetare dhe anëtarët e tij janë pjesëtarë të policisë e deri te gjeneralët. Ata vijnë në punë me veshje islamike me çallmë të bardhë ose të zezë. Disa nga studentët e mij janë në mesin e tyre”, thotë sheiku al-Manosur.

Por, aktivistët thonë se ata kanë arsye të mirë që këtë situatë ta ndjekin me kujdes, pasi policia morale në Iranin fqinj është krijuar nga modeli i njëjtë, ndërsa autoriteti i tyre sillet nga imponimi i kodit të veshjes e deri tek arrestimi i çifteve të pamartuara që dalin së bashku publikisht. (f. b.)
XS
SM
MD
LG