Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Integrimi në BE e shpëton Ballkanin nga luftërat


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar BE-në në ngadalësimin e integrimit të vendeve ballkanike.

“Procesi shumë i ngathët dhe i veshtirë i anëtarësimit të shteteve të reja ballkanike në këtë union vazhdon ta mirëmbajë frymën e rivalitetit rajonal, e mungesës së bashkëpunimit dhe për më tepër, sikur në rastin e Republikës së Kosovës vështirësimin e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore me Republikën e Serbisë”, ka thënë Thaçi në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Ai gjithashtu ka thënë se Brukseli po aplikon standarde më të rënda për shtetin më të ri ballkanik, Kosovën, që vazhdon të mos njihet nga pesë anëtaret e BE-së.

“Standardet anëtarësuese duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Kompromiset e rënda evropiane në Ballkan për hir të stabilitetit politik janë treguar të dëmshme dhe kundër-produktive. Shtetet që nuk përfillin marrëveshjet rajonale dhe realitetet e reja politike nuk mund të përkrahen barabarësisht me ato që vazhdimisht tregojnë gatishmëri për tejkalim të problemeve ndër-fqinjësore”, ka thënë Thaçi duke aluduar në Serbinë dhe hezitimin e saj për të zbatuar marrëveshjet me Kosovën.

“Fitimi i statusit të kandidatit nga ana e Republikës së Serbisë dhe refuzimi i liberalizimit të vizave për Kosovën e pati vetëm një rezultat: rikthimin e nacionalizmit etnik në pushtet në Beograd”, ka thënë kryeministri.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka potencuar problemet me të cilat sot përballet BE-ja dhe heqjen nga agjenda të Ballkanit Perëndimor si pasojë e krizës në eurozonë dhe recesionit që ka kapluar disa shtete anëtare.

Por, Thaçi ka thënë se nuk do të thotë se qytetari i Ballkanit nuk preket nga këto probleme evropiane.

“Mes brengave serioze të sigurisë, izolimit, pamundësisë së lëvizjes së lirë, kufijve të hekurt dhe aplikacioneve për viza në Kosovë, ai qytetar sot përballet edhe me mbyllje të përditshme të vendeve edhe ashtu të pakta të punës, me varfëri dhe skamje, të ngjashme me atë nga dy dekada më herët”, ka thënë Thaçi për të shtuar se kjo mund të përcillet me pasoja të tjera.

“Skamja çon në urrejtje. Urrejtja nis luftën. Njohësit e kujdesshëm të rrethanave ballkanike e dijnë se ishte pikërisht kjo njëra ndër arsyet që shkatërroi Jugosllavinë para syve të Bashkimit Evropian. Për ta, dhe për ne të tjerët që jetojmë atje, është fare e njohur teknologjia e cila i kthen shoqëritë në errësirën e etno-nacionalizmit, e cila pastaj ndriçohet nga zjarri i pushkëve e tankeve”, ka thënë Thaçi.

Ai ka tërhequr vërejtjen për rikthimin e nacionalizmit etnik në rajon.

“Garnitura të politikanëve nga dekadat e përgjakshme janë ri-popullarizuar dhe po fitojnë garat zgjedhore. Një rajoni aq të vogël si ky i yni nuk i duhet shumë për ta replikuar modelin e nisur në fqinjësi. Sikurse edhe 20 vjet më herët, paqja dhe lufta janë barabarësisht të mundshme dhe të pamundshme në Ballkan. Fare pak duhet për të mbizotëruar njëra-apo tjetra”, ka thënë Thaçi për të shtuar:

“Këtu, me ironi do të përkujtoja se dy dekada më herët, Bashkimi Evropian nuk e kuptonte thellësisht rrezikun që i kanosej kombeve të ish-Jugosllavisë, andaj edhe nuk veproi fuqimisht. Sot, jam i bindur se këtë rrezik e kupton thellësisht porse fuqia e tij vepruese është tashmë në recesion”, është shprehur Thaçi.

"Zgjerimi i Unionit dhe anëtarësimi ynë nuk ka alternativë. Për ne, debati rreth asaj se çfarë nënkupton sot Bashkimi Evropian në këtë botë të transformuar nuk ka ndonjë rëndësi. Ekzistimi i tij dhe gatishmëria jonë për të qenë pjesë e tij vazhdojnë të jenë shpresa dhe motivacioni i vetëm për t’i ikur asaj që kërcënohet. Kosova, Bosnja dhe mbarë rajoni kanë kujtime të gjalla nga ankthi i mbetjes para portës së mbyllur evropiane-të vetmuar përballë vrasjeve nga fqinjësia. Republika e Kosovës vazhdon të jetë e gatshme, të shpresojë dhe të besojë se Brukseli do të gjejë forcë për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor. Jam tërësisht i bindur se me këtë do t’i jepet fund frikave dhe armiqësive të vjetra, duke hapur dyert për mirëqenie dhe miqësi të reja", theksoi kryeministri Thaçi në fjalën e tij.
XS
SM
MD
LG