Ndërlidhjet

Van Rompej: Raportet me Kosovën – kryesore për Serbinë


Herman Van Rompej (majtas) në takimin me Ivica Daçiqin në Bruksel

Herman Van Rompej (majtas) në takimin me Ivica Daçiqin në Bruksel

Kryetari i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompej, deklaroi sot se në rrugën e saj për në BE, Serbia duhet në mënyrë “të qëndrueshme t’i përmirësoj raportet me Kosovën”.

“Përmirësimi i qëndrueshëm dhe i dukshëm i marrëdhënieve me Kosovën mbetet kërkesa kryesore për hapin e ardhshëm të lëvizjes së negociatave për hyrjen e Serbisë” në BE, tha sot Herman Van Rompej, pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.

Zyrtari i lartë i BE-së mëtutje është shprehur i kënaqur që qeveria e Serbisë “ka marrë vendim, i cili tash do të mundësoj bashkëpunim rajonal frytdhënës, me pjesëmarrjen e të gjithëve në rajon”.

Mëtutje ai ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, me ç’rast ka theksuar se “të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash duhet të zbatohen, e veçanërisht marrëveshja për kalimet”.

Zoti Van Rompje e trajtoi edhe çështjen e veriut të Kosovës, duke theksuar se “duhet të gjenden zgjidhje të reja për situatën e ndjeshme në veri të Kosovës, zgjidhje të cilat do ta përmirësojnë jetën e njerëzve të atjeshëm”, tha ai dhe shtoi se “e ftoj Beogradin dhe Prishtinën që në mënyrë konstruktive të angazhohen në dialogun, me shërbimet e vullnetit të mirë të Bashkimit Evropian”.

Kryeministri Daçiq theksoi se Beogradi është i gatshëm ta vazhdoj dialogun me Prishtinën “në rrafshin teknik dhe politik, në nivel shumë të lartë”.
XS
SM
MD
LG