Ndërlidhjet

logo-print

Obama e viziton Luizianën e goditur nga uragani

  • RFE /RL

Barak Obama në Luiziana

Barak Obama në Luiziana

Presidenti amerikan Barak Obama, të hënën e vizitoi Luizianën e cila u godit fuqishëm nga uragani Isaac, me ç’rast ka shprehur falënderim për të gjithë ata që morën pjesë në përpjekjet për shpëtim.

Këto komente ai i bëri në St. Xhon, një famulli Baptiste, ku komuniteti është goditur në mënyrë të fuqishme nga uragani Isaac, derisa Gjiri Bregdetar Amerikan, vazhdon të ballafaqohet me vërshime dhe mungesë të rrymës elektrike pas kësaj stuhie natyrore.

Dëshiroj veçanërisht ta falënderoj Agjencinë Federale për Menaxhimin e Emergjencave dhe shtetin dhe autoritetet lokale, pasi ndonjëherë në të kaluarën nuk e kemi parë këtë lloj të bashkëpunimit, që është i domosdoshëm në përgjigje të shkatërrimeve të këtilla. Kësaj radhe ne e pamë atë”, tha Barak Obama.

Presidenti i mëparshëm, Xhorxh Bush i riu, ishte kritikuar ashpër për përgjigje të ngadalshme federale ndaj uraganit Katrina, nga i cili humbën jetën afro 1800 vetë në vitin 2005. Po ashtu, Nju Orlins atëherë ishte shkatërruar.

Nga uragani aktual, Isaac, kanë humbur jetën pesë vetë në Luiziana dhe dy në Misisipi, ndërsa të dy këto shtete janë përfshirë nga vërshimet.

Pas uraganit Katrina, qeveria federale kishte shpenzuar 14.5 miliardë dollarë në rindërtimin e mbrojtjes kundër vërshimit në Nju Orlins. Por, shumë hapësira të goditura fuqishëm nga uragani Isaac, nuk ishin mbrojtur nga barrierat kundër vërshimeve.

Duke folur për “shkatërrimin e madh”, Obama i ka lavdëruar ata që shpëtuan jetët e njerëzve.

Dëshiroj ta lavdëroj secilin që është këtu për atë që ka bërë në shpëtimin e jetëve. Megjithëqë ka dëme të jashtëzakonshme materiale, populli ishte në situatë që të largohet sa më shpejtë dhe siç mund të shihet, njerëzit janë në terren duke i pastruar mbetjet dhe për të qenë të sigurt se ata mund të ripërtërihen sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Barak Obama.

Derisa uragani Isaac në rënie po lëvizë kah lindja, afro 100 mijë njerëz mbeten pa rrymë elektrike në Luizianë. Pa energji elektrike janë edhe afro 11 mijë njerëz në Misisipi dhe 5000 të tjerë në Arkanzas.

Për shkak se uji në disa hapësira nuk është tërhequr ende, mijëra njerëz janë evakuuar në strehimore emergjente, ose janë vendosur te të afërmit dhe miqtë.

Vizita e Obamës u bë pasi rivali i tij republikan për president amerikan, Mit Romni, qëndroi në Luizianë të premten, një ditë pasi e kishte pranuar nominimin e partisë së tij për zgjedhjet presidenciale më 6 nëntor. (f. b.)
XS
SM
MD
LG