Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Demokratët hapin konventën kombëtare

  • RFE /RL

SHBA, foto nga arkivi

SHBA, foto nga arkivi

Partia Demokratike e presidentit amerikan, Barak Obama, fillon të martën Konventën kombëtare.

Takimi treditësh në qytetin Sharlotë, në Karolinën Veriore, pritet të kulmojë të enjten, kur Obama zyrtarisht do ta pranojë nominimin e demokratëve në garën për të fituar edhe një mandat katërvjeçar si president.

Analisti politik amerikan, Çarli Kuk, i specializuar në parashikimet zgjedhore dhe trendet politike, në një intervistë për Retures, ka thënë se presidentit Obama i mbetet që t’i bindë votuesit se mandati i ardhshëm do jetë më i mirë se katër vjetët e kaluara.

Presidenti Obama, parimisht duhet që t’i bindë njerëzit se katër vjetët e ardhshme, nëse rizgjidhet, do të jenë më të mira se katër të kaluarat, meqë shteti ka kaluar kohë të vështira. Ai duhet të rivendosë pjesën e ‘shpresës’ në sloganin ‘shpresa dhe ndryshimi’”, u shpreh Kuk, duke aluduar në sloganin e zgjedhjeve të kaluara të demokratëve.

Mbështetësit e Obamës në Sharlotë, gjithashtu kanë paraqitur pritjet nga administrata e ardhshme presidenciale.

Disa nga ta janë të kënaqur me punën e deritashme të Obamës, të tjerët presin ditë më të mira.

Obama po bën punë të mrekullueshme me kujdesin shëndetësor dhe ne të gjithë i kemi borxh atij një raund të madh mirënjohjeje”, tha Korri Sigël.

Mbështetësja, Gejl Bes, pret që fokusi të jetë në ekonomi.

Definitivisht, vendet e punës, duhet të jenë prioritet, sepse shumë njerëz janë papunë dhe kjo prek tërë familjen, fëmijët janë pa bukë në tryezë. Dua të shohë më shumë vende pune”, tha Bes.

Ndërsa delegatja nga Mizuri, Marinë Fus, kërkon që konventa demokratike të dallojë nga ajo republikane.

Çështja kryesore që dua të shohë të adresohet është dallimi mes nesh dhe republikanëve. Ne jemi një parti, që brengoset për njerëzit e klasës së mesme dhe për këtë vend. Ne duhet ta kthejmë klasën e mesme në vendin që kishte dikur”, tha Fus.

Obama sfidohet në zgjedhjet e nëntorit nga Mit Romni, ish guvernatori i Masaçusetsit, i cili pranoi në javën e kaluar nominimin republikan.

Çarli Kuk ka këtë mendim për Romnin.

Mendoj se për Romnin, sfida më e madhe është lidhja me votuesit dhe krijimi i një ndjenje të rehatshme, të krijohet besimi në të. Kjo është më tepër një lidhje personale. Ata e dinë që ai është i mençur, i dijshëm, që e kupton ekonominë. Por, duhet të binden se mund të jenë rehat me të në Zyrën Ovale”, tha Kuk.

Ndryshe, momenti kryesor i ceremonisë së hapjes së konventës së demokratëve të martën, do të jetë fjalimi i Mishell Obamës, bashkëshortes së presidentit amerikan.

Ish presidenti Bill Klinton do të flasë në konventë të mërkurën.

Gjatë konventës, delegatët demokratë pritet të miratojnë platformën politike, e cila ngërthen në vetë zotimin për t’i dhënë fund përfshirjes së Amerikës në luftën afgane deri në vitin 2014 dhe pengimin e Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore.(a.i.)
XS
SM
MD
LG