Ndërlidhjet

Monti e Holland theksojnë nevojën për rritje ekonomike


Ilustrim

Ilustrim

Kryeministri i Italisë, Mario Monti, dhe presidenti i Francës, Fransua Holland, kanë thënë të martën se Evropa duhet urgjentisht të rikthejë rritjen ekonomike dhe të krijojë vende të reja pune.

Monti ka theksuar rëndësinë e reformave për ta bërë tregun e punës më felksibil dhe u ka bërë thirrje kompanive dhe sindikatave që të bashkëpunojnë për të reduktuar papunësinë.

“Nëse reformat për pensione të kësaj qeverie do të kryheshin vite më parë, ato do t’iu jepnin hapësirë për frymëmarrje brezave të rinj”, ka thënë Monti, pas takimit në Romë me Hollandin.

Holland tha se i ka kërkuar qeverisë së tij “të veprojë sa më shpejt kundër papunësisë, e cila vazhdon të rritet për të 14-in muaj me radhë”.

Statistikat e fundit të Bashkimit Evropian kanë treguar se numri i të papunëve në Eurozonë ka arritur në 18 milionë gjatë muajit korrik.

Takimi Monti-Holland shënon raundin e fundit të bisedimeve ndërmjet liderëve evropianë për krizën në Eurozonë, në prag të një tjetër takimi për politikat e Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

BQE, të enjten, pritet të publikojë shpërndarjen e bonove të reja, për të lehtësuar kostot e huamarrjes për vendet në krizë.
XS
SM
MD
LG