Ndërlidhjet

Kërkesat në rritje për operacione plastike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kirurgjia plastike, e cila funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nuk merret me operacione plastike, meqë ajo merret me trauma dhe lëndime, sidomos në repartin e djegieve.

Kjo klinikë është qendër referente për gjithë Kosovën, andaj mundësitë për shërbime estetike janë të vogla.



Këtë e thotë kirurgia estetike, Violeta Zatriqi, për Radion Evropa e Lirë.

Por kërkesat për të bërë operacione plastike dita ditës po rriten. Sipas doktoreshës Zatriqi, e vetmja derë për këto intervenime mbeten ordinancat private.

Operacionet estetike nuk kanë mundësi të realizohen në QKUK, për shkak të mungesës së hapësirës. Aty kemi vetëm 4 dhoma dhe numri i patologjive që trajtohen aty është tejet i madh. Ne kemi startuar të punojmë në klinikë private menjëherë pas luftës, pasi që këto operacione nuk mund të realizohen në klinika publike”, bën të ditur Zatriqi.

Edita Sejdiu është studente e fakultetit ekonomik.

Ajo thotë se ka qenë ëndërr e saj e kamotshme të rregulloj hundën e saj estetikisht, meqë siç thotë ajo, nuk i ka pëlqyer forma që ka pasur. Ajo është operuar në njërën nga klinikat private në Prishtinë, dhe është shumë e lumtur me pamjen e saj të re.

Gjithmonë kam dashur ta operoj hundën. Prindërit kanë qenë ata që e kanë kundërshtuar një intervenim të tillë. Por, me insistimin tim, e kam arritur ta realizoj dëshirën, dhe jam operuar për ta rregulluar estetikisht hundën time. Jam shumë e lumtur me pamjen time tash”.

Ndërkaq, Lirim Ukimeraj, otorinolaringolog, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i personave që kërkojnë operacione plastike për veshët dhe hundën është çdo ditë në rritje.

Unë merrem me operacione estetike të hundës dhe veshëve. Për 12 vjetët e fundit mund të them se ka tendenca të rritjes”.

Ukimeraj shton se sa i përket çmimit, për të intervenuar estetikisht, ai është më i liri në rajon. Sipas tij, një operacion i hundës kushton nga 850 deri në 1 mijë euro, derisa thotë se në rajon e më gjerë, një operacion i tillë është 10 fish më i shtrenjtë.

Ilustrim
Ilustrim
Sa i përket çmimit, ne jemi më të lirët në rajon. Nuk shkojnë në proporcion me çmimet e rajonit. Për vendin tonë mund të konsiderohen të shtrenjta, por në raport me vendet tjera, dallimi është 10 fish më i madh. Nëse te ne kushton 800 euro një operacion i hundës, jashtë vendit kushton 8 mijë euro”, shprehet Ukimeraj.

Edhe Arlinda, 26 vjeçare, ka preferuar ta operojë hundën e saj. Ajo pas intervenimit plastik, ndjehet shumë mirë, dhe është e kënaqur me pamjen e saj.

Kam vendosur të bëj operacion hundën, për shkak të një deviacioni që e kam pasur, dhe për shkak të pamjes, normal për estetikë. Më ka kushtuar operacioni 850 euro”.

Sipas doktoreshës Zatriqi, edhe fryrja e buzëve, ajo e mollëzave të fytyrës, rritja e gjoksit, heqja e dhjamit, po preferohen shumë nga kosovarët viteve të fundit.

Çmimet janë të kapshme për standardin kosovar. Janë çmime normale, duke i pasur parasysh që janë operacione estetike. Çmimet sillen nga 500 deri në 1 mijë e 500 euro”.

Sidoqoftë, ata të cilët dëshirojnë t’i nënshtrohen një operacioni plastik, duhet të jenë mbi 18 vjeçarë, me përjashtim të operacionit për palosjen e veshëve, i cili mund të aplikohet nga mosha 6-vjeçare.

Personat të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike nuk mund t’u nënshtrohen operacioneve të tilla.
XS
SM
MD
LG