Ndërlidhjet

Vrasje e rrallë gjatë tubimit politik në Kanada


Paulinë Marua, duke u larguar nga skena nga ana e truprojave të saj.
Paulinë Marua, duke u larguar nga skena nga ana e truprojave të saj.
Në Kanada, policia tha se një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur, pasi që një person ka hapur zjarr brenda një salle ku kryeministrja e zgjedhur e provincës së Kuebekut po mbante fjalimin e fitores pas zgjedhjeve në vend.

Kryeministrja e ardhshme, Paulinë Marua, është larguar nga skena nga ana e truprojave të saj, dhe nuk është lënduar në incidentin që ndodhi rreth mesnatës të martën në Monreal.




Marua, lidere e partisë separatiste të Kuebekut (PQ) e cila kërkon pavarësi për provincën kryesisht frëngjishtfolëses, më vonë është kthyer ne skenë për ta mbaruar fjalimin.

Policia tha se e ka arrestuar një 50 vjeçar në lidhje me të shtënat.

Autoritetet thanë se i dyshuari ka ndezur një zjarr të vogël prapa ndërtesës para se të arrestohej.

Motivi i dhunës nuk u qartësua menjëherë.

Raportohet se i dyshuari ka brohoritur “ Anglezet po zgjohen!” në kohën e arrestimit.

Dhuna e motivuar politikisht është tepër e rrallë në Kanada, derisa një incident i tillë ka ndodhur në vitin 1970.

Marua, 63 vjeçare, është gruaja e parë që zgjidhet kryeministre e Kuebekut.

Gjatë fushatës së saj elektorale, ajo premtoi se do të mbajë një referendum tjetër për pavarësinë ”kur të arrihen kushtet”.

Me 54 ulëset e fituara në zgjedhjet e së martës, partisë së saj i mungojnë numrat për të arritur shumicën prej 63 votash në parlamentin 125 anëtarësh, për ta formuar qeverinë e shumicës.

Qeveritë e mëhershme të drejtuara nga Partia e Kuebekut kanë zhvilluar referendume në vitin 1980 dhe 1995, port ë dyja kanë rezultuar të pasuksesshme.

Sondazhet e opinionit tregojnë se vetëm 28 për qind nga 7.8 milionë të popullatës së Kuebekut duan që provinca të ndahet nga Kanadaja.

Kryeministri në largim i provincës, Zhan Sharest tha se rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se “e ardhmja e Kuebekut shtrihet brenda Kanadasë”.

Partia Liberale e tij, që ka qeverisur provincën për nëntë vjet, ia ka dalë që të ruajë 50 ulëse në parlament.

Kryeministri federal i Kanadasë, Stiven Harper, në një deklaratë të shkruar, ka thënë se nuk beson se populli në Kuebek “do të donte që t’i rikthehej betejave kushtetuese të së kaluarës”.

Ai tha se kanadezët janë “të tmerruar” nga incidenti me të shtëna i së martës.

Në incidentin e fundit të dhunës politike, në vitin 1970 në Kuebek, anëtarët e një grupi radikal separatist patën bërë atentat duke e lënë të vrarë ministrin e Punës së provincës, Pier Laporte.(a.i.)
XS
SM
MD
LG