Ndërlidhjet

Pasuria e zyrtarëve publikë po rritet nga dita në ditë


Ilustrim
Ilustrim
Niveli i pagave, të cilat i marrin zyrtarët e lartë në institucionet e Kosovës, konsiderohet i mjaftueshëm për një jetesë standarde në vend, por pasurinë që ata e kanë deklaruar, sidomos në tre vjetët e fundit, është në s’përputhje me të hyrat që ata i kanë për punën që bëjnë, vlerësojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë.

Lëvizja “FOL”, të mërkurën në Prishtinë mbajti konferencën për media, ku prezantoi platformën e krahasimit të pasurisë së zyrtarëve publikë.

Drejtuesit e kësaj lëvizjeje thanë se edhe kjo mënyrë e publikimit të pasurisë së zyrtarëve, do të ndihmojë që qytetarët të dinë dhe të japin më shumë informacione për pasurinë e fituar në mënyrë joligjore të zyrtarëve publikë.

Petrit Zogaj nga Lëvizja “FOL”, tha se nga krahasimet e bëra prej vitit në vit dhe shumat e parave të deklaruara nga zyrtarët, krijojnë dyshimet se kemi të bëjmë me korrupsion.
Pasuria e zyrtarëve publikë po rritet nga dita në ditë.


“Pasuria e zyrtarëve publikë po rritet nga dita në ditë. Ajo pasuri nuk po rritet nga rrogat që kanë apo nga bizneset e tyre, ajo pasuri po rritet duke u përfshirë në afera korruptive. E, nëse është kjo, atëherë të shohim ne se cila është shpejtësia e pasurisë së këtyre zyrtarëve publik që po rritet dhe të shohim mundësinë e dërgimeve në organet përkatëse”, tha Zogaj.

Deklarimi, konfiskimi i pasurisë së paligjshme dhe lufta kundër korrupsionit, vazhdojnë të shihen si çështjet me të rëndësishme, me të cilat duhet të merren institucionet që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit. Por, përfaqësues të organizatave joqeveritare konsiderojnë se për luftën kundër korrupsionit, vendi ka ende nevojë edhe për ligje të tjera që do të ndihmonin në këtë drejtim.

Lëvizja "FOL".
Lëvizja "FOL".
Zogaj nga Lëvizja “FOL” shprehu mendimin se Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, ka nevojë për modifikime.

“Asnjë klauzolë brenda ligjit nuk ka të bëjë me kompetencën e Agjencisë për hetim të deklarimit. Do të thotë, nëse një zyrtar deklaron se ka 15 mijë euro në bankë dhe nuk ka një shpjegim, ligji nuk ia jep atë kompetencë të hetimit agjencisë për t’i filluar procedurat”, theksoi Zogaj.

Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, deri më tash është amendamentuar disa herë.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se ligji deri më tash, megjithatë, ka dhënë disa rezultate.
Baza ligjore duhet ndërruar që të rregullohet se në cilën mënyrë të bëhet vërtetimi i asaj që e kanë deklaruar zyrtarët publikë.

“Baza ligjore duhet ndërruar që të rregullohet se në cilën mënyrë të bëhet vërtetimi i asaj që e kanë deklaruar zyrtarët publikë. Pjesa tjetër them se është e mirë. Ka shumë zyrtarë që obligohen ta deklarojnë pasurinë. Ne i krahasojmë ato të dhëna me të dhënat paraprake dhe reagojmë në të gjitha momentet kur gjejmë disproporcion të shënuar dukshëm mes asaj që kanë deklaruar vitet paraprake dhe tani”, tha Preteni.

Preteni tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tash për rastet e dyshuara të pasurimit në mënyrë të paligjshme të zyrtarëve, agjencia ka iniciuar hetimet bashkë me organet kompetente të drejtësisë.

“Disa raste i kemi dërguar në Qendrën e Inteligjencës Financiare, që ky institucion t’i kontrollojë qarkullimet bankare të këtyre personave, por kemi raste që i kemi dërguar edhe në prokurori”, shpjegoi Preteni.

Ndryshe, organizatat joqeveritare kanë kritikuar Agjencinë Kundër Korrupsionit, strategjinë kundër korrupsionit dhe deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë.

Thuhet se korrupsioni në shumë institucione të Kosovës vazhdon të jetë i pranishëm dhe se nuk po luftohet.
XS
SM
MD
LG