Ndërlidhjet

Vendet e rezervuara pa mandat?


Ilustrim
Ilustrim
Vendet e rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës, pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, nuk do të jenë më të tilla, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese.

Sipas tyre, kjo është në përputhje me propozimin përmbledhës të Ahtisarit, mbi të cilën është bazuar Kushtetuta e Kosovës.

Deri më tash, në Kuvendin e Kosovës, pakicat kanë pasur 10 vende të rezervuara dhe 10 të tjera të garantuara.

Profesor Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike-kushtetuese, thotë se vendet e rezervuara kanë qenë të tilla vetëm për dy mandate dhe se pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, pakicat do ta ruajnë të drejtën mbi ulëset e garantuara, por jo edhe për ato të rezervuarat.


Por, megjithatë, sipas Smakës, ekzistojnë mundësi, përmes së cilave mund të sigurohet mandati edhe për vendet e rezervuara për pakicat, pavarësisht që, siç thotë ai, kjo nuk do të ishte korrekte.

“A mund të vazhdohet kjo? Kjo mund të bëhet. Çdo gjë është e mundur, por duhet procedurë në Kushtetutë. Është e mundur që me procedurë ta votojnë deputetët, të hyjë në fuqi etj. Mirëpo, nuk do të ishte racionale, nuk do të ishte e justifikueshme dhe nuk do të ishte korrekte duke iu referuar qytetarëve të Kosovës, sepse minoriteti serb në Kosovë, është super, ekstra, padrejtësisht i favorizuar dhe i benefituar. Kjo është në kundërshtim, madje edhe me kartën evropiane për minoritetet”, thotë Smaka për Radion Evropa e Lirë.

Profesor Smaka vlerëson se edhe çështja e vendeve të garantuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës lë hapësirë për kundërshti dhe diskutime, nëse ajo është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

“Bie fjala, i kanë serbët 10 (vende). Marrin pjesë në procedurë edhe ashtu siç fitojnë atje, ato vende janë të garantuara për ta, do të thotë 10 (vende). Edhe kjo nuk është në konformitet me Kushtetutën, sepse mund të ndodhë që kandidati apo kandidatja me 100 vota të hyjë (në Kuvendin e Kosovës)”.

“Ndërkaq, për ne kërkohen 6 mijë deri në 10 mijë vota për të qenë deputet. Kjo dispozitë është fragjile në aspektin e kushtetutshmërisë dhe do të mund të anulohej me Gjykatën Kushtetuese”,
thekson Smaka.

Por, Halil Matoshi, njohës i rrethanave politike në vend, vlerëson se liderët politikë, përmes marrëveshjeve politike, do të insistojnë që t’i gjejnë mundësitë për vazhdimin e mandateve për vendet e rezervuara për pakicat.

Sipas tij, kjo do të jetë edhe një shprehje e të ashtuquajturit diskriminim pozitiv për pakicat. Por, thotë Matoshi për Radion Evropa e Lirë, kjo situatë nuk duhet shikuar vetëm në kontekstin negativ.

Halil Matoshi
Halil Matoshi
“Çka është e mira dhe e keqja? Normalisht që është kategori jokushtetuese dhe i spraps, ose i vë në pozicion të pabarabartë partitë ose subjektet e vogla në Kosovë, do të thotë subjektet shqiptare, në rend të parë, duke favorizuar disa subjekte të etnive pakicë, do të thotë, mbi të gjitha, të serbëve”.

“Mirëpo, në planin afatgjatë dhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe vetë serbët lokalë, do të thotë serbët kosovarë, ky është një sinjal i mirë se politika e Kosovës ka një trajtim jo vetëm shumë zemërgjerë dhe demokratik, por edhe human ndaj problemeve të tyre”,
vlerëson Matoshi.

Ndryshe, përfaqësuesit politikë të pakicës serbe në Kosovë, të cilët janë edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, kanë paralajmëruar mundësinë e një marrëveshjeje ku pakicave do t’u vazhdohej rezervimi i vendet në Kuvendin e Kosovës, të paktën edhe për dy mandatet e ardhshme.

Ndërkaq, sipas nenit 64 të Kushtetutës së Kosovës, vendet për pakicat janë të rezervuara vetëm për dy mandate.
XS
SM
MD
LG