Ndërlidhjet

Policia shënon 13 vjetorin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Është shënuar në Prishtinë 13 vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës, institucion ky që është vlerësuar të jetë më i besueshmi në vend.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila para se të merrte postin, ishte oficere e lartë e policisë, ka përgëzuar ish kolegët, duke thënë se sot pas 13 vjetësh, “Policia e Kosovës në organizim, në pajisje, në strukturë është e një niveli me policitë më të avancuara dhe më profesionale bashkëkohore”.

Ajo ka çmuar raportin në mes të policit dhe qytetarit në Republikën e Kosovës, për të cilin ka thënë se është shembull i respektimit të dinjitetit, procedurave ligjore dhe i besimit të ndërsjellë dhe mirëkuptimit.

“Policia e shtetit tonë sot me sukses kontrollon kufijtë e Kosovës dhe bën menaxhimin e integruar të kufijve, duke pasur bashkëpunim me policitë e të gjitha shteteve fqinje, duke qenë digë e fortë në parandalimin dhe pengimin e çfarëdo lloj kontrabande dhe krimi të organizuar, që tenton të hyjë apo të kalojë nëpër territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera, presidentja Jahjaga.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë shkas që të kutjojë në këtë përvjetor heroin Enver Zymberi , i cili u vra gjatë aksionit të korrikut të kaluar për kthimin e kontrollit në veri.

Ai ka theksuar se në kohën kur, Kosova po përmbyll mbikëqyrjen e pavarësisë, shteti i Kosovës si shtet sovran, i pavarur, duhet të jetë i përgatitur për përgjegjësitë e reja që dalin nga përmbyllja e këtij procesi.

“Prandaj duke përfituar nga ky rast, kërkoj nga ju që në kuadër të misionit të juaj: të ofroni zbatim edhe më të lartë të ligjit në Kosovë në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase. Të ofroni siguri për qytetarët tanë kudo që janë ata, dhe të jeni në gatishmëri të ruani territorin e shtetit tonë në çdo cep të vendit”, ka porositur Thaçi, për të shtuar se Policia e Kosovës aktualsith është ndër “ndër forcat më profesionale dhe me efektive në rajon”.
XS
SM
MD
LG