Ndërlidhjet

Përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe ratifikimi i marrëveshjes për mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, janë dy çështjet kryesore që pritet të adresohen ditëve në vijim nga Kuvendi i Kosovës.

Ndërsa po përgatitet që t’i marrë sipër kompetencat e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Qeveria e Kosovës tashmë ka kontraktuar një marrëveshje me Bashkimin Evropian e cila është nënshkruar nga Presidentja Atifete Jahjaga dhe Përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, për praninë, rolin dhe funksionimin e EULEX-it pas 10 shtatorit, kur përfundon mbikëqyrja ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qeveria ka proceduar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, e cila e definon këtë mision si EULEX-Kosova në të ardhmen. Ai ka prezantuar tri qëllimet kryesore të kësaj marrëveshjeje.

Hajredin Kuçi

Hajredin Kuçi

E para, ka të bëjë me zgjatjen e mandatit të EULEX-it në fushat e parapara me marrëveshje deri më 15 qershor të vitit 2014, e dyta është delegimi i autoritetit për propozim dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë në përputhje me Kushtetutën e vendit tonë. Neni 20 dhe autorizon qeverinë për të ndërtuar një sistem regjistrimi për armëmbajtjen e lejuar për stafin e EULEX-it dhe nën tre, garanton imunitet për stafin dhe zyrën e EULEX-it si dhe për Përfaqësuesin e BE-së garanton statusin, imunitetet dhe privilegjet diplomatike”, ka sqaruar Kuçi.

Ky projektligj i prezantuar nga zëvendëskryeministri Kuçi pritet që të dalë për miratim në seancën e të premtes, bashkë me amandamentimet Kushtetuese që kanë të bëjnë me kalimin e kompetencave nga Zyra Civile Ndërkombëtare tek autoritetet shtetërore të Kosovës.

Kjo Zyrë (ICO), që nga shpallja e pavarësisë, ka mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisarit.

Projektligji për mandatin e EULEX-it pritet të mbështetet edhe nga partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me çka parashihet se do të sigurohen dy të tretat apo 80 vota për që janë të mjaftueshme për miratim.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini tha se deputetët e kësaj partie do ta mbështesin mandatin shtesë të EULEX-it.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mendon se Kosova ka nevojë për mbështetje në forcimin e rendit dhe ligjit dhe në këtë drejtim ne e mbështesim një mandat shtesë, për një kohë të caktuar të EULEX-it në Kosovë”, ka thënë Gjini.

I vetmi subjekt parlamentar që vazhdon ta kundërshtojë praninë e EULEX-it pas fazës së mbikëqyrjes është Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie politike, Liburn Aliu, tha të enjten para Kuvendit të Kosovës se në këtë mënyrë nuk po përmbyllet mbikëqyrja ndërkombëtare por, si tha ai, po vendoset një sundim ndërkombëtar në Kosovë.



Pra, e tëra është që po mbyllet zyra e ICO-së dhe kjo po quhet heqje e mbikëqyrjes. Përse po hiqet, me çfarë motivi? Fakti që një gjë e tillë po ndodh në kohën kur po bëhen përgatitje për dialog politik me Serbinë për veriun e Kosovës tregon që nuk po ngjan e ashtuquajtura përmbyllje e mbikëqyrjes për të shtuar pavarësi për shtetin por për t'i hequr territor vendit tonë. Kompromiset që do të bëhen do të jenë përtej pakos së Ahtisarit”, ka thënë Aliu.

Sidoqoftë, përcaktimi i mandatit të EULEX-it deri më 15 qershor të vitit 2014, sipas interpretimeve nga subjektet politike, nuk është përfundimtar, pasi që Kosova dhe Bashkimi Evropian mund të rinegociojnë në të ardhmen qëndrimin e këtij misioni edhe përtej vitit 2014, nëse konstatohet se Kosova as atëherë nuk i ka arritur kapacitetet e mjaftueshme në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG