Ndërlidhjet

Obama: Rruga jonë çon në një vend më të mirë


Obama pranon nominimin për herë të dytë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00

Obama pranon nominimin për herë të dytë

Barak Obama ka pranuar formalisht nominimin për mandatin e dytë në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, duke u thënë votuesve se zgjedhjet e nëntorit do të jenë “zgjedhja më e qartë për brezin”.

Obama i është adresuar Konventës së Partisë Demokratike në Sharllotë të Karolinës së Veriut.

“Për çdo çështje, zgjedhja me të cilën ju përballeni, nuk do të jetë vetëm ndërmjet dy kandidatëve apo dy partive. Ajo do të jetë një zgjedhje në mes të dy rrugëve të ndryshme për Amerikën, zgjedhje në mes të dy vizioneve të ndryshme për të ardhmen”, ka thënë Obama.


Ai ka pranuar se rruga që ofron, nuk do të jetë e shpejtë apo e lehtë, duke paralajmëruar “se do të duhen më shumë se disa vite për të zgjidhur sfidat që janë krijuar gjatë dekadave”.

Presidenti, i cili lufton të zvogëlojë normën prej 8.3 për qind të papunësisë, ka theksuar si qëllime krijimin e 1 milion vendeve të punës në industrinë e prodhimit, trajnimin e 2 milionë punonjësve në kolegjet e komunitetit, dyfishimin e eksporteve amerikane deri në fund të vitit 2014 dhe reduktimin për gjysmë të importeve neto të naftës deri në vitin 2020.

“Problemet tona mund të zgjidhen. Sfidat tona mund të përballohen. Rruga që ne ofrojmë, mund të jetë e vështirë, por çon në një vend më të mirë. Dhe, unë kërkoj nga ju që të zgjidhni këtë të ardhme”, ka thënë presidenti amerikan.

Në zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit, Obama do të sfidohet nga ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, i cili ka pranuar nominimin e Partisë Republikane javën e kaluar.

Fjalimi i presidentit të SHBA-së është mbajtur në lokacionet e Konventës dhe jo në një stadium të madh, siç është paralajmëruar. Zyrtarët e partisë kanë cilësuar si shkak kushtet e motit.

Fjalimi i Obamës ka shënuar kulmin e Konventës treditore. Ndër folësit që i paraprinë atij, ishte edhe nënpresidenti Xho Bajden, i cili, po ashtu, ka pranuar zyrtarisht nominimin për një mandat të dytë.

“Së bashku, ne jemi në një mision. Ne jemi në misionin për të lëvizur këtë popull përpara, nga dyshimi dhe rënia te premtimi dhe prosperiteti. Unë ju garantoj – një mision që do ta përfundojmë”, ka thënë Bajden.

Të mërkurën, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, ka ofruar mbështetje të plotë për politikat e Obamës, duke thënë se asnjë president nuk do të mund të riparonte për një mandat katërvjeçar të gjitha dëmet ekonomike, që Obama ka trashëguar nga republikanët.

Në vetëm dy muaj para zgjedhjeve, Obama duhet të fitojë mbështetjen e votuesve të pavendosur, sidomos të atyre që janë lëkundur nga mesazhi i tij frymëzues për ndryshim dhe shpresë, më 2008, dhe tani ndjehen të zhgënjyer nga vitet e dobësisë ekonomike dhe të grindjeve politike.

Në ditën e parë të Konventës, Zonja e Parë, Mishell Obama, ka përshkruar kryetarin amerikan si “njeri që mund t’i besohet”, për të rigjallëruar ekonominë e dobët të vendit.

Sondazhet e fundit të opinionit flasin për një epërsi të lehtë të Obamës kundër Romnit.

Sipas tyre, Romni, një biznesmen i pasur, shihet si kandidati më i mirë për të përmirësuar ekonominë, ndërsa Obama është më i pëlqyeshëm në të kuptuarit e nevojave të përditshme të amerikanëve.


Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG