Ndërlidhjet

logo-print

Sulm i armatosur në veri


Ura qendrore mbi lumin Ibër, Mitrovicë, foto nga arkivi

Ura qendrore mbi lumin Ibër, Mitrovicë, foto nga arkivi

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë derisa persona, tash për tash, të panjohur kanë shtënë me armë zjarri kundrejt dy veturave zyrtare mëngjesin e së premtes, në rrugën magjistrale që çon për në Zubin Potok.

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka njoftuar përmes një komunikate se “një numër personash të armatosur janë shfaqur në rrugën mes Zupçes dhe Zubin Potokut sot në mëngjes, duke hapur zjarr kundër dy automjeteve”.

“Një pjesëtar i policisë së Kosovës është lënduar. Personat përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë sa më shpejt. U bëj thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacion në lidhje me këtë incident që të kontaktojnë policinë,” citohet të ketë thënë zoti Marnjak.

Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka dënuar incidentin, duke e cilësuar si akt dhune.

“Jetë njerëzish janë vënë në rrezik. Kjo tregon dhe përforcon nevojën për më shumë sundim ligji në këtë pjesë të Kosovës”, citohet të ketë thënë zoti Zhbogar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se një nga veturat ishte e Policisë së Kosovës, kurse tjetra e misionit evropian për sundimin e ligjit.

“Sot, rreth orës 9 të mëngjesit, në rrugën magjistrale për në Zubin Potok janë sulmuar dy automjete zyrtare - një i Policisë së Kosovës dhe një i EULEX-it”, ka bërë të ditur Kelani.

Një numër oficerësh policie të EULEX-it thuhet se kanë qenë duke udhëtuar për në Zubin Potok për të kryer detyrat e tyre të zakonshme në stacionin e policisë kur ka ndodhur sulmi, kurse automjeti i policisë së Kosovës ka qenë duke i shoqëruar ata, thuhet në komunikatën e misionit evropian.

Ndërkohë, presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, përmes një deklarate për media ka shprehur "indinjatën e thellë dhe ka dënuar aktin terrorist, qyqar e tinëzar" ndaj patrullës së policisë së Republikës së Kosovës dhe autokolonës të misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX në afërsi të Zubin Potokut.

Edhe Qeveria e Kosovës ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj përfaqësuesve të EULEX-it në veri.

Sipas Qeverisë, ngjarja dëshmon edhe një herë se krimi dhe mungesa e sundimit të ligjit në veri të vendit, kërkon mobilizim për trajtim nga institucionet lokale dhe ndërkombëtare në Kosovë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të ballafaqohet me vendosmëri në luftën kundër akteve kriminale dhe veprimtarisë së rrjeteve të organizuara kriminale në këtë pjesë të vendit, si dhe të ndërmarrë të gjithë hapat për vendosjen e sundimit të ligjit dhe sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave edhe në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e ekzekutivit kosovar.

Incidenti në veri të Mitrovicës vjen në kohën kur në Kosovë po qëndronte Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin.

Ky i fundit u dëbua nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Merdarë për shkak të devijimit nga agjenda e vizitës.
XS
SM
MD
LG