Ndërlidhjet

Drevs: Kosova ka bërë hapa të mëdhenj


Pamje nga ceremonia e dorëzim-pranimit të komandës së forcave të NATO-s në Kosovë.
Pamje nga ceremonia e dorëzim-pranimit të komandës së forcave të NATO-s në Kosovë.
Gjenerali gjerman, Folker Halbauer, që nga e premtja, ka marrë komandën e forcave të NATO-s në Kosovë nga komandanti i deritashëm i këtyre forcave, gjenerali Erhrad Drevs.

Ky i fundit, në ceremoninë e dorëzim-pranimit të komandës, e cila është organizuar të premten në Prishtinë, ka thënë se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj, pavarësisht sfidave që ka pasur dhe se ajo do të jetë shembull për të tjerët se si dilet nga situatat e frikshme.

Gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandave...
Gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandave...
Shërbimin e tij si komandant të KFOR-it, Drevs e ka quajtur nder dhe privilegj.

“Kam qenë dëshmitar, derisa Kosova ka vazhduar të zhvillohet dhe të përparojë dhe kam qenë i impresionuar me hapat e mëdhenj, të cilët janë bërë, pavarësisht të gjitha sfidave, me të cilat edhe më tutje ballafaqohet”.

“Me gjithë këto sfida, unë kam besim të plotë që Kosova një ditë do të shërbejë si shembull për të tjerët, për atë se si njerëzit dalin nga situatat e frikës së tmerrshme dhe qorrsokakut politik, se si i bashkojnë forcat për të punuar për ëndrrat e përbashkëta për përparim, realizim të ambicieve dhe respektim të vlerave”, ka deklaruar gjenerali Drevs.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një dekreti të veçantë, e ka dekoruar gjeneralin Drevs me “Medaljen ushtarake” për shërbimin në Kosovë dhe e ka falënderuar atë në emër të qytetarëve të Kosovës.

Ajo, gjithashtu, i ka dëshiruar mirëseardhje gjeneralit Halbauer, duke thënë se KFOR-i mbetet misioni ndërkombëtar më i respektuar në vend dhe si i tillë e ka mbështetjen e të gjitha bashkësive në Kosovë.

Ndryshimi i komandës, siç ka thënë presidentja Jahjaga, ka rëndësi të veçantë, sepse është realizuar në kohën kur po përfundon faza e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
“Roli i ushtarëve të KFOR-it në këtë proces ka qenë i pamohueshëm, duke na qëndruar pranë në rrugëtimin tonë për t’iu bashkuar familjes së popujve të lirë dhe në krijimin e kushteve për ndërtimin e një shoqërie shumëkombëshe, të bazuar në respektimin e rendit dhe ligjit, si dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Komandanti i NATO-s në komandën e Napolit, admiralin Brus Klingan, e ka falënderuar dhe përgëzuar gjeneralin Drevs për punën që ka bërë gjatë kohës sa ka drejtuar trupat e KFOR-it, si dhe për, siç ka thënë ai, përpjekjet e tij gjatë 8 muajve të fundit, për promovimin e dialogut konstruktiv ndërmjet faktorëve kyç nga bashkësitë që jetojnë në Kosovë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Duke iu drejtuar ushtarëve të KFOR-it, admirali Klingan ka theksuar:

“Duke u ballafaquar me rreziqe të ndryshme, e ndonjëherë edhe me kërcënimet me vdekje, ju jeni përgjigjur në mënyrë proporcionale dhe të matur. Ju jeni shembull i gjithë asaj që është e mirë në NATO dhe pa mëdyshje keni treguar përkushtimin e pathyeshëm të aleancës për të ardhmen e Kosovës”.

Ndryshe, gjenerali gjerman, Halbauer, është komandanti i gjashtë gjerman i KFOR-it, që nga vendosja e trupave ndërkombëtare në Kosovë, më 1999.

Bundesveri ka rreth 900 ushtarë në Kosovë, që njëherësh është kontingjenti më i madh kombëtar.
XS
SM
MD
LG