Ndërlidhjet

The Economist: Koha shpëton euron?


Ilustrim

Ilustrim

“Të paktën gushti ishte i qetë. Falë Mario Dragit - udhëheqësit të Bankës Qendrore Evropiane, politikanët e Eurozonës morën pushimin, për të cilin kishin shumë nevojë”, nis shkrimin e saj javorja britanike “The Economist”.

Në artikullin që trajton krizën financiare në Eurozonë dhe veprimet e ardhshme të qeverive që janë pjesë e kësaj zone, revista e cilëson “të komplikuar” shpëtimin e valutës së përbashkët duke thënë se “shumë njerëz mendojnë se e kanë kohën në anën e tyre”.

Ngjarje të rëndësishme në këtë kuadër thuhet se do të jenë përpjekjet e kreut të BQE-së, Dragi, për ta kufizuar koston e huave që marrin qeveritë (e në disa raste edhe kompanitë) dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e nevojës së krijimit të një fondi të shpëtimit për Eurozonën.

Vendi që është prekur më së shumti nga kriza financiare – Greqia, është në pritje të pjesës së dytë të pakos së shpëtimit.

Pako shpëtimi nga BE-ja kanë marrë përgjatë muajve të kaluar Greqia, Spanja, Irlanda dhe Portugalia, ndërsa kah fundi i qershorit edhe autoritetet qipriote kishin paraqitur kërkesën për pako ndihmëse financiare.

Në adresë të qeverive evropiane janë drejtuar vazhdimisht kritika, përfshirë ato të zyrtarëve amerikanë, për mungesë të vizionit në rikëndelljen e ekonomisë evropiane dhe daljen nga kriza në Eurozonë.

“The Economist” vlerëson se “edhe në rast të ndërhyrjes së suksesshme të BQE-së, politikanët e Eurozonës duhet menjëherë të vendosin mbi fatin e euros”.

Revista thekson se zhvillimi i një debati me qëllim riorganizimin e borxhit të disa qeverive vetëm sa ka filluar, por se do të jetë i domosdoshëm për rikthimin e besimit të investitorëve.

Kërkesa e Berlinit për t’ia dhënë Brukselit “federal” disa kompetenca në këtë drejtim, sipas “The Economist”, është diskutuar me vështirësi në Francë, gjë që thuhet se nuk u pengon liderëve në Eurozonë.

Nëse politikanët dhe fituesit skeptikë do të kenë një shans të parashikojnë alternativat shkatërruese të rënies së euros, ata do të vijnë te reciprociteti dhe federalizmi, ashtu siç kanë vendosur jashtë krizës - si kurrë më parë në dy vitet e kaluara, transferet e mëdha dhe sovranitetin. Në fund, interesi vetjak dhe sensi i mirë do të fitojnë”, shkruan “The Economist”.

Koha, vlerëson javorja britanike, “mund të punojë” kundër euros dhe se në javën e ardhshme në rrugën e shpëtimit të valutës së përbashkët evropiane mund të paraqiten pengesa të tjetra.

Vendimi i autoritetit më të lartë juridik në Gjermani mund të jetë negativ, sikurse që mund të jetë negativ mungesa e vullnetit të holandezëve për të votuar në mbështetje të krijimit të një fondi të shpëtimit për Eurozonën.

Për ta ndalur mossuksesin, Franca dhe Gjermania, ende në zemër të Evropës, ende duhet të bashkohen në shpëtim dhe t’i përgatisin partitë dhe popujt e tyre për ta pranuar atë. Asgjë s’do të ndodhë pa këtë. Kjo nënkupton përkrahjen e atij lloji të federalizmi, të cilin e ka refuzuar gjithmonë Franca statike. Kjo nënkupton se Gjermania do të pranonte borxhet e ndërsjella. Askush nuk ka thënë se kjo do të jetë e lehtë. Por, nëse Angela Merkel dhe Fransua Holand presin që koha ta kryejë punën e tyre, ata do të humbasin kontrollin mbi fatin e tyre”, shkruan “The Economist”.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu.

Përgatiti: Edona Peci
XS
SM
MD
LG