Ndërlidhjet

Ku dallojnë Obama me Romnin?


Barak Obama dhe Mit Romni
Barak Obama dhe Mit Romni
Në muajin nëntor, amerikanët do të zgjedhin në mes të dy kandidatëve presidencialë, që ofrojnë plane të ndryshme për të ardhmen e vendit - të paktën në politikën e brendshme. Por, në politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare, dallimet politike mes presidentit demokrat Barak Obama dhe rivalit të tij republikan, Mit Romni, shpesh janë më pak të qarta.


Cilat janë propozimet e Obamës dhe të Romnit për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike?


Barak Obama thotë se do t’i shkurtonte taksat për amerikanët e klasës së mesme dhe do t’ua rriste taksat të pasurve. Ai dëshiron, që ata që paguhen më shumë sesa 250 mijë dollarë në vit, të paguajnë të paktën 30 për qind të taksave, ndërsa milionerët dhe miliarderët të paguajnë pothuajse 40 për qind.

Në anën tjetër, Mit Romni beson se shkurtimi i taksave për të gjithë amerikanët, përfshirë edhe ata që janë shumë të pasur, do ta lëvizë sërish ekonominë. Nën Romnin, amerikanët e pasur do të shihnin duke iu rënë taksat nga 35 në 28 për qind. Romni thotë se do të bënte një balancim në të hyrat, duke shkurtuar shpenzimet dhe duke reduktuar numrin e të punësuarve në qeveri. Që të dy do të shkurtonin taksat ndaj korporatave.


Po, cilat janë politikat e krijimit të vendeve të punës?

Shkalla e papunësisë në Amerikë është mbi 8 për qind dhe të dy kandidatët thonë se dinë si ta ulin atë. Obama do të vazhdojë të derdhë paratë stimuluese në projektet e infrastrukturës publike, si në rrugë dhe ndërtimin e urave, dhe duke iu dhënë para shteteve që të punësojnë më shumë mësues dhe policë. Ai do t’i stimulonte kompanitë prodhuese për të ruajtur vendet e punës në Amerikë dhe për ta bërë të lehtë nisjen e biznesit.

Romni dëshiron që sektori privat - jo qeveria - të jetë motori i rritjes së vendeve të punës. Përveç taksave të lehta për biznesin, ai do të hiqte disa nga rregulloret për shëndet dhe siguri, për të cilat thotë se po e pengojnë biznesin nga rritja. Ai do të decentralizonte programet federale për rikualifikimin për punësim dhe do t’u jepte shteteve fuqinë që të rregullonin trajnimin e punëtorëve. Ai do t’ua vështirësonte organizimin sindikatave, për të cilat thotë se “rrisin koston dhe paraqesin ngurtësi, që dëmtojnë konkurrencën dhe i pengojnë risitë”.


A pajtohen ata në uljen e varësisë së SHBA-së nga nafta e huaj?

Po. Por, mënyrat i kanë të ndryshme. Obama thotë se do të investonte në “çdo burim amerikan të energjisë.”Kjo do të thotë zhvillimin e energjisë së erës dhe asaj diellore, si dhe vazhdimin e shpimeve për naftë dhe gaz. Obama po shtyn përpara standardet më të larta të karburanteve efikase për makinat dhe do të zgjeronte fuqinë bërthamore të SHBA-së.

Romni është një mbështetës i fortë i qymyrit, naftës dhe industrisë së gazit ët Amerikës. Plani i tij është gjithashtu që të shfrytëzojë burimet e energjisë së brendshme, që kryesisht nënkuptojnë shpimin e puseve të reja të naftës në bregdetin lindor të vendit dhe në Alaskë, zgjerimin e shpimeve në Gjirin e Meksikës, si dhe më pak rregullore mjedisore mbi gazin natyror.


Cilat janë mospajtimet mbi kujdesin shëndetësor?

Duke filluar nga viti 1974 me presidentin Riçard Nikson, gjashtë presidentë amerikanë
janë përpjekur që të miratojnë reformën e kujdesit shëndetësor. Obama, më në fund e bëri këtë në vitin 2009, me Aktin për Mbrojtjen e Pacientit dhe të Kujdesit të Përballueshëm, i cili synon të zgjerojë sigurimin e kujdesit shëndetësor për rreth 32 milionë amerikanë të pasiguruar. “Obamacare”, siç e quajnë shumë republikanë aktin, është i diskutueshëm, sepse ai në thelb detyron të gjithë, që të blejnë një formë të sigurimit dhe i penalizon ata që nuk bëjnë një gjë të tillë.

Romni kundërshton reformën e kujdesit shëndetësor dhe thotë se ai menjëherë do ta hiqte atë nëpërmjet një urdhri ekzekutiv, që u jep shteteve fuqinë për të rregulluar mbulimin e sigurimit shëndetësor për qytetarët e tyre.

Cilat janë dallimet mbi çështjet sociale si martesa e homoseksualëve dhe aborti?

Obama do të vazhdonte të mbronte të drejtën ligjore të një gruaje për të abortuar. Ai është gjithashtu i pari president amerikan që ka deklaruar përkrahjen për martesën e personave të së njëjtës gjini, edhe pse ai thotë se do të lejojë që shtetet të vendosin individualisht mbi legalizimin e martesës së tillë.

Romni është kundër abortit ligjor, përveç në rastet e përdhunimit dhe incestit. Ai dëshiron të shohë ndryshime kushtetuese për të ndaluar martesën mes personave të së njëjtës gjini.

Politika e jashtme

Çka do të bënte ndryshe Romni në Afganistan?

Rreth 80 mijë trupa amerikane mbesin në Afganistan dhe plani i Obamës është që t’i tërheqë ato në vitin 2014, gjatë së cilës kohë policët dhe ushtarët e trajnuar nga NATO do të merrnin përsipër përgjegjësinë për sigurinë e vendit. Obama ka nënshkruar një marrëveshje të Partneritetit Strategjik me Kabulin, që përshkruan një angazhim 10-vjeçar amerikan për të mbështetur Afganistanin pas vitit 2014.

Romni ka kritikuar Obamën për shpalljen e hershme të datës për tërheqjen, por nuk ka ofruar ndonjë kundërpropozim të tij.

Në fjalimin e pranimit më 30 gusht në Konventën e Partisë Republikane, Afganistani nuk është përmendur.

Në të vërtetë, analisti për politikë të jashtme, Brajan Katulis, nga Qendra për Progresin Amerikan, thotë se Romni ia kushtoi 3 minuta e 39 sekonda të fjalimit të tij politikës së jashtme.

http://www.nytimes.com/2012/09/01/opinion/romney-is-caught-between-neoconservatives-and-neo-isolationists.html?_r=1&ref=contributors

Katulis tha se kjo është bërë pjesërisht për shkak të ndasive mbi çështjen brenda vetë Partisë Republikane dhe, madje, edhe mes vetë disa këshilltarëve të Romnit. Për shembull, disa nga këshilltarët e Romnit, mbështesin angazhimin diplomatik me talibanët, gjë që nuk mbështetet nga vetë Romni.

“Përtej çështjes se kur do të mund të ktheheshin trupat në shtëpi, nuk ka diçka të thellë në politikën e Romnit mbi Afganistanin. Disa nga këshilltarët e tij, që unë i njoh shumë mirë, e të cilët i njohin shumë mirë këto çështje, dyshoj se janë të frustruar ndoshta për mungesën e përfshirjes së Afganistanit në fushatë”, thekson Katulis.

Xhim Filips, një analist i Lindjes së Mesme në Fondacionin konservator Heritage thotë se Romni dallon nga Obama jo vetëm për çështjen e tërheqjes së trupave, por, gjithashtu, në lidhje me atë se sa duhet ndjekur këshillat e liderëve ushtarakë. Ai thotë se Obama “bëri dallimin”, kur gjenerali Stenli MekKristal kërkoi 40-50 mijë trupa në Afganistan dhe ai menjëherë dërgoi 30 mijë.

Romni ka folur ashpër mbi Iranin. A do të mbajë qëndrim më radikal sesa Obama?

Që të dy thonë se Irani nuk duhet të lejohet që të zhvillojë armë bërthamore dhe të dy thonë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten. Sikur Obama, edhe Romni thotë se së pari do të përdorte sanksionet, dhe nëse ato nuk ndalojnë zhvillimin e armëve, ai nuk do ta përjashtonte aksionin ushtarak.

Pra, se a ka ndonjë dallim thelbësor mes dy kandidatëve. Katulis thotë jo.

“Jo, jo aspak. Kjo më shumë ka të bëjë me tonin dhe stilin, kur kundërshtohet çështja”, thotë Katulis.

Por, Filips nga Fondacioni Heritage, thotë se sheh dallime të qarta. Ai thotë se Romni kritikon Obamën se e ka lejuar Iranin që të “ndërmarrë veprime bashkëpunimi mbi çështjet bërthamore, pa e përfunduar në të vërtetë programin e tij”.

“Guvernatori Romni ka paraqitur një qëndrim më të ashpër ndaj programit të armëve bërthamore të Iranit. Ai ka bërë thirrje për presion më të madh mbi Iranin, jo vetëm nëpërmjet sanksioneve - shumë prej të cilave janë kundërshtuar nga administrata, edhe kur janë votuar nga të dy partitë në Kongres, por guvernatori Romni gjithashtu ka paralajmëruar se Irani nuk duhet të lejohet që të bëhet një shtet i aftë bërthamor, ndërsa administrata Obama ka tërhequr një vijë të kuqe më prapa, duke paralajmëruar se Irani nuk duhet të arrijë të sigurojë një armë bërthamore. Unë mendoj se ky është një ndryshim i qartë”, thotë Filips.

Obama ka nënshkruar ligjin, që ka kaluar në vitin 2011 kundër Bankës Qendrore të Iranit, por administrata e tij ka shprehur rezerva, duke aluduar në frikën se kjo do të shkaktonte trazira në tregjet globale të energjisë në kohën e pasigurive ekonomike.

A do ta trajtojë Romni Rusinë si “armikun gjeopolitik numër një” të Amerikës?

Rusia është nga dy çështjet e politikës së jashtme, tjetra është Kina, për të cilat, dallimet mes Romnit dhe Obamës mbesin të qarta.

Romni thotë se ai do të konfrontohej me Kinën për shkak të manipulimeve me valutën e saj, që në ditën e parë të tij si president, dhe njihet për deklaratën e famshme se Rusia është “armiku numër një gjeopolitik i Amerikës”.

Ai e sheh Rusinë si një konkurrente - ai kundërshton hyrjen e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë, si dhe e sheh si kërcënim potencial të sigurisë.

Për të ulur ndikimin e Moskës, Romni thotë se do të forconte lidhjet ekonomike, ushtarake e tregtare me Azinë Qendrore. Në tetorin e kaluar, ai tha se po qe se zgjidhet president, do të “fillojë të kthejë shkurtimet e epokës së Obamës për mbrojtjen raketore dhe do të bënte prioritet zbarkimin e plotë të sistemit shumë shtresor të mbrojtjes kombëtare raketore balistike. (a.i.)
XS
SM
MD
LG