Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Kushtetuta, gjenerator i krizës


Ilustrim

Ilustrim

Njëzetenjë vjetori i pavarësisë së Maqedonisë nga ish-federata jugosllave po shënohet nën hijen e ndasive të mëdha etnike në skenën politike, për shkak të një projektligji të partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski lidhur me zhdëmtimin vetëm të forcave maqedonase të sigurimit që kanë pësuar gjatë konfliktit të armatosur të para 11 viteve.

Ky propozim që përjashton ish-pjesëtarët e UÇK-së, si asnjëherë më parë, ka ndarë partitë në baza etnike. Përveç partnerëve të koalicionit qeveritar, BDI dhe VMRO-DPMNE, edhe partitë opozitare PDSH dhe LSDM, janë ndarë në baza etnike duke u pozicionuar, e para pranë partisë shqiptare në Qeveri dhe tjetra pranë partisë së kryeministrit Gruevski.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se situata e tanishme është dëshmi e qartë se Maqedonia, edhe pas dy dekadave të pavarësisë, nuk ka arritur t’i zgjidhë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve, e në veçanti me aplikimin e sistemit mbrojtës nga mbivotimi, apo definimin e qartë të përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar që, po ashtu, interpretohen në forma të ndryshme, varësisht rrethanave politike.

“Maqedonia është larg nga ajo që ka pasur mundësi për të ndërtuar një demokraci konsenuale, që të ndihen të gjithë popujt të barabartë, e sidomos pozicioni i shqiptarëve duhej të avancohet. Mirëpo, fatkeqësisht, sot pas 21 vjetësh konstatojmë se shqiptarët ende nuk ndihen të barabartë. Shqiptarët edhe më tutje mbivotohen dhe nuk marrin pjesë në marrjen e vendimeve, të cilat duhet të vlejnë për të gjithë qytetarët”, thotë Ismet Ramadani, deputet në përbërjen e parë parlamentare.

Osman Kadriu, ligjërues i së Drejtës Kushtetuese, vlerëson se fajin mbi gjendjen e tanishme duhet kërkuar te Kushtetuta aktuale, e cila nuk ka definuar qartë çështjet që kanë të bëjnë me bashkësitë etnike, në rastin konkret me shqiptarët.

Interpretimi i ndryshëm i ligjeve, sipas Kadriut, krijon situatat konfliktuoze.

“Kur flasim për zbatimin dhe interpretimin e ligjeve, si pikë e parë vlerësoj se shumë ligje nuk janë të harmonizuara me Kushtetutën dhe, së dyti, në disa ligje kemi zbrazëtira juridike që janë pasojë e paqartësive të dispozitave kushtetuese, sidomos kur flitet për miratimin e ligjeve me shumicën e Badinterit, apo për çështjen e simboleve, atë të gjuhës e kështu me radhë”, shprehet Kadriu.

Ai shtron nevojën e ndryshimeve kushtetuese apo të miratimit të një kushtetute krejt të re, në të cilën qartë do të përcaktohet pozicioni i gjuhës shqipe, i përdorimit të flamurit kombëtar dhe i të drejtave tjera në raport me bashkësitë etnike.

“Duhet sa më shpejt të intervenohet në Kushtetutë, që të mos ketë paqartësi dhe pastaj në përputhje me intervenimet, të miratohen ligjet adekuate. Madje, duke marrë parasysh periudhën shumëvjeçare të miratimit të Kushtetutës, e cila është miratuar në vitin 1991, unë jam i mendimit se ndoshta është koha që të shkohet në miratimin e një kushtetute krejt të re”, vlerëson Kadriu.

Edhe Ismet Ramadani, deputet në përbërjen e parë parlamentare, thotë se duhet të ketë ridefinim të statusit të shqiptarëve dhe këtë, siç shprehet ai, shqiptarët kanë kapacitet që ta bëjnë.

Ramadani thotë se duhet kërkuar barazi të plotë apo zgjidhje tjera, nëse kërkesa injorohet nga pala tjetër.

“Shqiptarët në Maqedoni kanë kapacitet që ta ndryshojnë pozicionin e tyre kundrejt palës maqedonase. Ata mund të ndërmarrin hapa që janë në kuadër të veprimeve demokratike, përfundimisht shqiptarët duhet të thonë se ose do të ketë barazi të plotë, ose zgjidhje tjetër kushtetuese, e cila në një mënyrë Maqedoninë do ta çonte në federalizim”, thekson Ramadani.
XS
SM
MD
LG