Ndërlidhjet

Nis festivali dedikuar viktimave të terrorit


Memoriali 9/11

Memoriali 9/11

Motoja “Të krijosh është më vështirë se të shkatërrosh” është dedikimi, me të cilin ka nisur të premten në Prishtinë edicioni i nëntë i Festivalit të filmit të shkurtë “9/11”.

Që nga themelimi Festivali “9/11” (Nine Eleven) i ishte dedikuar viktimave të sulmeve terroriste, të cilat 11 vjet më parë, më 11 shtator, kishin goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Drejtori ekzekutiv i Festivalit, Blerim Gjoci, i tha Radios Evropa e Lirë se ky dedikim i festivalit vazhdon edhe më tutje.

“Në këtë ditë vendimtare që ka ndryshuar bota - prej 11 shtatorit 2001, bota ka ndryshuar, nuk është më e njëjtë - dhe prej asaj dite të shkatërrimit të madh, ideja ka qenë që të krijohet diçka për popullin mik të Amerikës, diçka që dëshmon që të krijosh është shumë më e vështirë sesa të shkatërrosh. Ata që shkatërrojnë janë të ligjtë. Këta që krijojnë janë zemër-mëdhenjtë. Kjo ka qenë ideja, që në këtë datë të përkujtimit mbi shkatërrimin, të krijojmë diçka të re për ta kundërshtuar atë shkatërrim”, tha Gjoci.

Edicioni i nëntë i Festivalit “9/11” është hapur me filmin “Leonardi” me skenar të Naser Shatrollit dhe regji të Arian Mustafës.



Drejtori artistik i festivalit, Adhurim Kida, thotë se të gjithë filmat zgjasin prej 5 deri në 25 minuta dhe ata do të shfaqen në “Sheshin 21”.

“Festivali ‘9/11’ është festival vetëm për filma shqip, me autorë që duhet të jenë shqiptarë. Kemi filma nga Shqipëria dhe Kosova. Gjithsej i kemi 18 filma. Nga produksioni ‘NineEleven’ i kemi 8 filma, në bashkëpunim me ‘Prishtina film’ “.

“Në fakt, një prej tyre është në bashkëpunim me një produksion tjetër. Çdo natë do t’i kemi rreth 6 filma. Shumica e filmave janë të zhanrit të dramës, tema sociale, tema që kanë të bëjnë me luftën, me pasojat e luftës dhe pasojat e së kaluarës. Do të thotë, të gjitha janë të realitetit social”, sqaroi më shumë Kida.

Kida shtoi se interesimi i artistëve të rinj për festivalin ka qenë mjaft i madh. Arsyet e këtij interesimi të artistëve për të marrë pjesë në festival, sipas drejtorit ekzekutiv, Blerim Gjoci, është qasja e organizatorëve të festivalit ndaj vetë artistëve, por edhe krijimit të filmit në përgjithësi.

“Arsyeja pse ne kemi shumë pjesëmarrës dhe shumë njerëz që e përcjellin këtë festival, është për faktin se ne kemi arritur që ta anulojmë atë ‘murin’ në mes të krijuesit dhe papirologjisë, ku një krijuesi i duhet që ta lërë anash kreativitetin e vet dhe të bëjë letra e letra, në mënyrë që të vijë deri te një fond i vogël për ta realizuar një vizion të vetin”.

“Ne e kemi rrëzuar atë ‘mur’. Do të thotë, ne u ofrojmë krijuesve (mundësimë) që vetëm nëse ka idenë, mund të vijë te ne, të trokasë në dyert tona me ide, me një skenar. Asgjë tjetër s’na nevojitet neve. Pjesët e tjera ne i marrim përsipër, në mënyrë që ai të mos mendojë fare për këtë pjesën organizative, por vetëm të përqendrohet në vizionin që e ka”,
theksoi Gjoci.

Në përmbyllje të Festivalit "9/11", sipas Gjocit, do të përkujtohen dhe nderohen viktimat e 11 Shtatorit të vitit 2001.

“Në përmbyllje, njerëzit, para se të futen në natën përmbyllëse, siç është ndarja e çmimeve, do të kenë mundësi që ta ndezin nga një qiri për viktimat e 11 Shtatorit, por edhe për të gjitha viktimat në botë, të cilët kanë rënë. Do ta ndezin nga një qiri, do të futen brenda dhe përsëri do të shkojmë kah ajo që çmimet të shkëlqejnë atë natë dhe ta lëmë zinë jashtë derës. Do të thotë, kur futemi në sallë, do të jetë diçka tjetër. Do të jetë një atmosferë feste, ku përsëri do ta festojmë krijimtarinë dhe jo shkatërrimin”, shpjegoi Gjoci.

Ndryshe, Festivali “9/11” do të përcillet edhe me aktivitete tjera shtesë dhe do të mbyllet më 11 shtator. Me këtë rast do të ndahen 8 çmime nga juria, pjesë e së cilës do të jetë edhe Gjon Korn, i cili është përzgjedhës i filmave për një numër festivalesh të rëndësishme botërore të filmit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG