Ndërlidhjet

SHBA, Rusi: Marrëveshje për Antarktikun


APEC
APEC
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia i kanë nënshkruar dy marrëveshje për bashkëpunimin e mëtejmë në Antarktik dhe në Ngushticën e Beringut, që i lidhin të dy vendet.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, këto marrëveshje i kanë nënshkruar të shtunën, në margjina të samitit të liderëve të vendeve anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Vlladivostok të Rusisë.

Zoti Lavrov, i ka lavdëruar këto marrëveshje si provë e mëtejshme e vendosmërisë së dy shteteve për zgjidhjen e çështjeve me punë të përbashkët.

“Si i tërë, memorandumi demonstron gatishmërinë e të dy vendeve për të punuar së bashku për të mirën reciproke, në një spektër të gjerë të çështjeve të Antarktikut. Deklarata për bashkëpunimin ndër-rajonal e forcon përsëri përvojën tonë pozitive, që ne tashmë e kemi në këtë sferë, dhe i jep rajonit tonë kuptimin se qeveritë e Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara i inkurajojnë ato për të zhvilluar lidhje të mëtejshme për të mirën e të dy palëve”, ka thënë Sergei Lavrov.

Zonja Klinton ka theksuar se dokumenti paraqet shenjë tjetër pozitive në rritjen e marrëdhënieve të dyanshme prej “ripërtëritjes” së vitit 2009.

“Ne, formalisht, po e thellojmë bashkëpunimin tonë shkencor në Antarktik, që është një kontinent me shumë mundësi për kërkime. Shkencëtarët nga të dy vendet tona do të punojnë së bashku për të eksploruar terrenin e Antarktikut, për t’i studiuar efektet e ndryshimeve klimatike dhe për të bashkëpunuar në një spektër të çështjeve, që më mirë ta kuptojmë dhe mbrojmë ambientin tonë. Për të parën herë, zyrtarët dhe shkencëtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë po punojnë së bashku për ta zbatuar Marrëveshjen për Antarktikun”, ka theksuar Hillari Klinton.

Si shenjë e mëtejshme e marrëdhënieve më të mira bilaterale, sekretarja Klinton ka theksuar bashkëpunimin për regjimin e ri të vizave, që do t’i ndihmojë kompanitë ruse dhe amerikane.

“Nesër, marrëveshja jonë historike do të fuqizohet. Ajo do ta lehtësojë udhëtimin ndërmjet dy vendeve, gjë që do t’i forcojë lidhjet e njerëzve dhe kontaktet e biznesit. Është paraparë që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi gjatë APEC-ut. Komunitetet e biznesit në vendet tona vazhdimisht kanë kërkuar nga ne liberalizim të vizave për ta bërë më të lehtë për ta, që të punojnë së bashku, dhe ne jemi të lumtur që e realizuam këtë”, është shprehur Hillari Klinton.

Pas kësaj, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se Kongresi i Shteteve të Bashkuara mund të lëvizë këtë muaj për t’i përmirësuar raportet tregtare, duke e tërhequr amendamentin Xhekson – Vanik, nga vitit 1974, që është një legjislacion nga periudha e Luftës së Ftohtë, i cili i kishte bllokuar privilegjet normale tregtare për Rusinë.

Kongresi është nën presion për të vepruar, pasi Rusia u bë anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, muajin e kaluar. (f. b.)
XS
SM
MD
LG