Ndërlidhjet

Rita Ora, “Shine Ya Light” në Prishtinë


Rita Ora në Prishtinë
Rita Ora në Prishtinë
Pop këngëtarja nga Britania, me prejardhje kosovare, Rita Ora, ka qëndruar në fundjavë në Kosovë, ku dhe ka kryer xhirime për video-klipin “Shine Ya Light”.

Qindra kosovarë e kanë pritur atë, si në Aeroportin e Prishtinës, ashtu edhe para pallatit të Rinisë, ku këngëtarja me famë botërore, ka kryer xhirime mbi obeliskun “Newborn”, i cili simbolizon lindjen e shtetit të ri të Kosovës dhe është vendosur në qytet në ditën e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt të 2008-ës.

“Jam në Kosovë!!! Është e pabesueshme. Është xhirimi më i mirë që kam bërë! Le ta bëjmë!”, ka shkruar Rita Ora në rrjetin social, Twitter.

Britanikja, Daily Mail, e ka shënuar vizitën e pop këngëtares në Kosovë, duke thënë se “ajo u kthye te rrënjët e saj” për të kryer xhirime për spotin e ri.

Ylli, shkruan Daily Mail, “dëshiron të ndihmojë që ta vendosë fuqishëm vendin e saj në hartë, duke xhiruar videoklipin e fundit në qytet”.

Rita Ora ka arritur suksesin e madh në Britani, me hitet e saj, të cilat janë ngjitur në majë të toplistave botërore.

Rita ka lindur në Prishtinë, dhe është zhvendosur në Britaninë e Madhe, kur ishte vetëm njëvjeçare.
XS
SM
MD
LG