Ndërlidhjet

logo-print

Serbët e veriut kundërshtojnë çfarëdo pavarësie


Mitrovicë - foto nga arkivi

Mitrovicë - foto nga arkivi

Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë ndërkombëtare të Kosovës nuk do të ketë ndonjë ndikim te serbët që jetojnë në veri të vendit dhe ata janë fare indiferentë ndaj këtij fakti, vlerësojnë politikanët dhe disa qytetarë serbë që jetojnë në veri të Kosovës.

Millan Ivanoviq, drejtues i Këshillit Kombëtar Serb, thotë se as mbikëqyrja e deritashme e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkuar në drejtim të sigurimit të të drejtave themelore për serbët, sigurimit të mbretërimit të ligjit, si dhe hulumtimit të dhunës, kriminalitetit dhe diskriminimit institucional dhe joinstitucional.

“Pavarësinë e mbikëqyrur, serbët në Kosovë, pra edhe ata në veri, praktikisht as që e kanë ndier. Ky zëvendësim i tashëm i mbikëqyrjes së pavarësisë me pavarësinë e pambikëqyrur, në veri as që do të hetohet. Ne, ato institucione nuk i kemi pranuar, e as Planin e Ahtisarit. Prandaj, ne nuk e pranojmë as tash këtë shtet të pavarur, e as institucionet e saj”, thotë Ivanoviq.

Qëndrim refuzues ndaj pavarësisë së shtetit të Kosovës kanë edhe disa qytetarë serbë, të cilët jetojnë në pjesën veriore mbi lumin Ibër. Nikola Grujiq thotë se pranimi i pavarësisë së Kosovës dhe heqja e institucioneve serbe në veri, do të ishte fatale për serbët që jetojnë në atë pjesë të vendit.

“Mendoj se veriu nuk guxon ta pranoj këtë. Ajo çfarë ata bëjnë në Prishtinë, është çështje tjetër. Por, këtu ne kemi pushtetin tonë”, shprehet Grujiq.

Milliq Llazoviq thekson se serbët në veri duhet të jenë të durueshëm, sepse, siç thotë ai, shqiptarët do ta humbin shtetin e tyre të Kosovës.

“Te ne nevojitet vetëm më shumë disiplinë dhe gjërat do të rregullohen. Ata mendojnë se gjërat shkojnë siç i mendojnë. Kjo është edhe më keq për ta. Ata edhe më parë e kanë pasur në dorë pushtetin, por e kanë humbur”, thekson Llazoviq.

Por, Danica Jovanoviq mendon se pavarësia e Kosovës ka qenë e planifikuar katër dekada më parë:

“Kjo është pritur qysh para 42 vjetëve. Kjo ka qenë e ditur. Kolegët tanë shqiptarë, me të cilët punonim, gjithmonë na thoshin ‘do ta shihni kur të vijë Amerika’. Do të thotë se ata e kanë ditur se, herë do kur, do ta marrin pavarësinë për Kosovën”.

Megjithatë, Marko Delipashiq, student, thotë se serbët tash presin ndihmë të madhe nga Republika e Serbisë.

“Situata te ne, momentalisht, është mjaft brengosëse. Tash, në këtë moment të rëndë, presim mbështetje të madhe nga Serbia në planin ekonomik dhe atë të sigurisë”, thekson Delipashiq.

Drejtuesi i Këshilli Nacional Serb, Millanoviq Ivanoviq, thekson se serbët e veriut nuk e shohin veten si pjesë të një Kosove të pavarur, qoftë të mbikëqyrur ndërkombëtarisht, qoftë pa këtë mbikëqyrje.

“Ne, në veri, do të luftojmë me të gjitha mjetet legjitime për interesat tonë. Ashtu siç nuk e kemi pranuar pavarësinë e mbikëqyrur, ashtu nuk do të mund ta pranojmë as pavarësinë pa mbikëqyrje, e cila do të jetë për një shkallë më e keqe se ajo e mëparshmja”, thekson Ivanoviq.

Ndryshe, veriu i Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së vendit më 17 Shkurt të vitit 2008, në vazhdimësi ka injoruar institucionet e shtetit të Kosovës. Në mjaft raste, mospranimi i këtyre institucioneve është manifestuar edhe me incidente të ndryshme, të cilat e kanë destabilizuar situatën e sigurisë në këtë pjesë të vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG