Ndërlidhjet

Siri: “Mision i pamundshëm” i Lakdar Brahimit

  • RFE /RL

Pamje nga Siria

Pamje nga Siria

Tri javë pasi zyrtarisht u shpall se diplomati Lakdar Brahimi, do të jetë i dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe i Ligës Arabe në Siri, dhuna në këtë vend është përshkallëzuar, duke dalur nga kontrolli, kriza e refugjatëve është intensifikuar, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së, mbetet thellë i ndarë lidhur me këtë konflikt.

Vetë zoti Brahimi e ka pranuar se ky mision është “i pamundshëm”.

Diplomati veteran nga Algjeria, Lakdar Brahimi, konsiderohet ndërmjetësues, që mund t’i zgjidhë problemet. Ai ka përvojë në ndërmjetësimin e planit paqësor me të cilin përfundoi Lufta Civile në Liban, ndërsa ka shërbyer si përfaqësues i Kombeve të Bashkuara në Afganistan dhe Irak.

Në fillim, kur u emërua që të jetë i dërguar ndërkombëtar për Sirinë, nga ana e sekretarit të përgjithshëm të Kombneve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ai ishte optimist.

Sekretar i përgjithshëm, mendoj se kur ju më ftuat mua, ju thashë se isha i nderuar, i kënaqur dhe i frikësuar. Ende mendoj kështu. Por, unë përfundimisht do të bëjë çdo gjë të mundshme. I njoh disa njerëz në Siri dhe në rajon. Tashmë kam biseduar për situatën atje dhe se unë do të shërbej si i dërguar i OKB-së dhe Ligës Arabe. Por, para se gjithash, do t’i shërbej gjithë popullit sirian”, pat thënë Lakdar Brahimi më 24 gusht.

Por, më vonë, në një intervistë me BBC, më 3 shtator, ai e përshkroi misionin e tij si “të pamundshëm”.

Suksesi duhet të arrihet aty ku paraardhësi i tij i njohur dështoi. Ish sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, u largua më 2 gusht, pasi dështoi të arrijë konsensus për planin e tij paqësor për Sirinë.

Por, tashmë ka shenja se pas emërimit të Lakdar Brahimit, më 17 gusht, situata në Siri është përkeqësuar edhe më tepër.

Më se 5 mijë njerëz janë vrarë vetëm në muajin gusht, ka shpallur organizata pro opozitare Observatori për të Drejtat e Njeriut, më 2 shtator.

Sipas të dhënave nga Komisariati i Lartë për Refugjatë i OKB-së, afro 250 mijë sirianë janë larguar nga vendi.

Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndihmë për Sirinë, në shumë prej 347 milionë dollarësh. Kjo shumë është dyfish më e madhe se ajo që ishte synuar më parë, e që ishte realizuar vetëm gati 50%.

Emërimi i Brahimit ishte mirëpritur nga Siria, Rusia dhe nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa dallimet ndërmjet tyre ishin arsyet kryesore për dështimet e mëparshme për ta arritur planin e paqes.

Por, Lakdar Brahimi tashmë i ka zemëruar të dy palët në konfliktin në Siri: deklarata e tij se ai ende nuk e ka përcaktuar nëse Asadi duhet të largohet, e ka hidhëruar opozitën. Deklarata e tij se Siria është në gjendje të Luftës Civile e ka zemëruar regjimin e presidentit Bashar al-Asad.

Xhefri Laurenti, nga The Century Foundation me seli në Nju Jork, thotë se, gjatë muajit të fundit të konflikti, me ç’rast kanë ndodhur bombardime nga ana e regjimit të Sirisë dhe ngritja e shkallës së dhunës, ka ndryshuar dinamika për ata që janë të përfshirë.

Në gusht ndoshta Asadi e kishte atë që për të ishte muaj i mirë; por për popullin e Sirisë ishte muaj i tmerrshëm. Por, ai duket se ka arritur ta ndryshojë këtë ndjenjë të përhapur se largimi i tij është i pashmangshëm. Kjo mund të jetë luftë e gjatë dhe mund të përfundojë me një barazim. Nëse rusët mendojnë se ai mund të luftojë ende deri në barazim, ata nuk do të jenë në linjë me Brahimi për një kohë të gjatë”, thotë analisti Laurenti.

Lakdar Brahimi ka thënë se ai ende nuk e ka ndonjë plan konkret për përfundimin e konfliktit.

Por Laurenti konsideron se gjërat mund të ndryshojnë.

Do të vijë periudha e caktuar, kur padyshim Brahimi duket se në mënyrë të kotë do të udhëtojë te palët brenda dhe pastaj fuqitë e mëdha patrone jashtë. Në një moment të caktuar gjërat fillojnë të ndryshojnë”, thotë Laurenti dhe shton se “këto momente vijnë dhe Brahimi ishte pjesë e këtij momenti në Liban, para 20 vitesh”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG