Ndërlidhjet

Fundi i mbikëqyrjes dhe shtimi i sfidave


Harta e Kosovës

Harta e Kosovës

Fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, për shtetin e Kosovës nënkupton marrjen e përgjegjësive, por edhe ballafaqimin me shumë sfida, është thënë sot në një konferencë ndërkombëtare që po mbahet në Prishtinë, e ku po marrin pjesë udhëheqësit më të lartë të Kosovës, arkitekti i statusit të Kosovës Marti Ahtisari si dhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Presidentja Atifete Jahjaga tha se Kosova po përmbyllë një kapitull të mbikëqyrjes, për të hapur një vizion të ri të një shteti që synon integrimin në familjen evropiane.

E përmbyllëm fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe po i japim vulën zhvillimit tonë. Prej sot po marrim përgjegjësinë e plotë për të gjitha çështjet brenda vendit, duke qenë të gatshëm për të çuar përpara të gjitha proceset dhe për të garantuar vlerat tona të përbashkëta historike, kulturore e fetare. Parimet e brumosura në deklaratën tonë të pavarësisë dhe në Kushtetutë janë të arritshme nga të gjithë qytetarët”, është shprehur me këtë rast Jahjaga.

Ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova tash po e kalon ditën e parë me pavarësinë e plotë me çka është e barabartë me të gjitha shtetet tjera. Fundi i mbikëqyrjes, nënkupton një fillim të madh për Republikën e Kosovës, tha kryeministri Thaçi. Sipas tij, tani është çasti i pjekurisë së institucioneve të vendit.

Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne, nga sot e tutje sfidat e shumta e të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës. Mirëpo, janë këto sfida të zakonshme të shteteve të pavarura të shoqërive të përgjegjshme”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha po ashtu se pavarësia e plotë e Kosovës do të nënkupton barabarësinë mes shteteve dhe popujve në rajon.

Andaj, edhe me këtë rast, Thaçi është angazhuar për dialog ndërmjet shteteve e popujve të rajonit për pajtim dhe ecje së bashku drejt integrimeve euroatlantike.

Dialogu dhe mirëkuptimi duhet të vazhdohen. Zgjidhjet duhet të arrihen dhe popujt duhet të pajtohen. Një kapitull sapo u përmbyll dje në Ballkan, ai i emergjencës, asistencës dhe i mbikëqyrjes, mirëpo u hap një kapitull i ri, ai i zhvillimit dhe pajtimit dhe bashkëpunimit mes popujve dhe shteteve”, ka thënë Thaçi.

Pavarësia e plotë e Kosovës do të thellojë paqen e stabilitetin në rajon, tha në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti.

Ai tha se Ballkani nga dita e djeshme duket më ndryshe, por edhe më i barabartë.

Dhënia fund e pavarësisë së mbikëqyrur ka një domethënie të veçantë pasi ajo koincidon me një ngjarje të shënuar, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar, ku padyshim figura të ndritura të Kosovës kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar”, ka thënë Panariti.

Konferencës i është drejtuar edhe Piter Feith, deri dje mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, me heqjen e mbikëqyrjes Republika e Kosovës e hap një kapitull të ri në Ballkan e më gjerë.

Pas fundit të mbikëqyrjes, tani Kosova duhet të përmbyllë kapitujt e tjerë të integrimeve e zhvillimit të saj ka thënë Feith.

Konferenca ka trajtuar një varg temash, përfshi edhe ato që ndërlidhen me tranzicionin, globalizmin dhe ndër-vartësinë midis shteteve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG