Ndërlidhjet

Ahtisaari: BE-ja të jetë unike ndaj Kosovës


Marti Ahtisaari - foto nga arkivi
Marti Ahtisaari - foto nga arkivi
Paqja ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk bëhet vetëm përmes nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje, por me ndryshimin e qasjes së popujve dhe udhëheqësve të të dyja palëve ndaj njëri-tjetrit, tha të martën në Prishtinë, ish-i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari.

Në një fjalim që mbajti gjatë një konference të zhvilluar një ditë pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe shprehi bindjen se nga 11 shtatori po hapet një kapitull i ri që, siç tha ai, mund të shërbejë në përmirësimin e raporteve ndërmjet vendeve në rajon.

Paqja nuk nënkupton harrimin e së kaluarës nga Kosova e Serbia, por pranimin se e ardhmja e tyre mund dhe duhet të jetë ndryshe. Ky është një mësim për diplomacinë ndërkombëtare se suksesi i vërtetë nuk mund të gjendet në sallën e negociatave ose në nënshkrimin e marrëveshjes. Ai mund të gjendet në sjelljen e njerëzve-të ministrave, zyrtarëve e fqinjëve të përjetshëm. Ne duhet të flasim më pak për arritjen e paqes si rezultat dhe më shumë për sjelljen dhe qasjen ndaj paqes”, tha ai.

Diplomati finlandez tha se Bashkimi Evropian paraqet një mundësi të mirë për arritjen e paqes, ndërsa e cilësoi të pashmangshëm integrimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

Kosova është këtu dhe Bashkimi Evropian duhet ta përfshijë atë në masat e saja politike dhe ekonomike. Nëse nuk bëhet kjo, do të mbetet një problem permanent për themelet e rajonit evropian”, u shpreh ai.

Ahtisaari theksoi rëndësinë për fuqizimin e politikave të jashtme të BE-së. Ai e quajti të padobishëm një Bashkim Evropian që do të ishte i unifikuar vetëm në çështjet e brendshme dhe i ndarë në çështjet diplomatike.

Që kur shpalli pavarësinë në shkurt të 2008-ës Kosova është njohur nga 22 shtete anëtare të BE-së, por Spanja, Qiproja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania kanë refuzuar, deri më tani, ta njohin vendin si subjekt të pavarur në arenën ndërkombëtare.

Duke folur për përpjekjet e autoriteteve kosovare në përmbushjen e kritereve për integrim evropian, Ahtisaari tha se Kosova duhet të jetë një tregim suksesi i BE-së.

Shpresoj që të gjithë anëtarët e BE-së të kuptojnë se Kosova duhet të respektohet si pjesë e partnerëve evropianë”, theksoi hartuesi i planit me të cilin do të vendoseshin bazat e themelit të shtet-ndërtimit.

Ai konsideroi se është e pamundshme që Kosova t’i ndryshojë raportet me Brukselin, por tha se mund të ndryshojë domethënien dhe fuqinë e atyre raporteve.

Mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës, që buron nga plani i Ahtisaarit, përfundoi të hënën, por në mesin e sfidave të ardhshme për Prishtinën zyrtare thuhet se mbesin shtirja e autoritetit në të gjithë territorin e vendit, sundimi i ligjit dhe realizimi i reformave të nevojshme për integrim evropian.

Në këtë kuadër, vlerësohet se do të jetë i domosdoshëm normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë-gjë që synohet të arrihet përmes vazhdimit të dialogut ndërmjet palëve.
XS
SM
MD
LG