Ndërlidhjet

Polenc: Serbia do të duhet të njohë Kosovën


Ilustrim

Ilustrim

Gjatë negociatave për anëtarësim në BE, Serbia do të duhet të pranojë Kosovën, ka thënë kreu i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Bundestagut, Rupreht Polenc.

Ai i ka bërë këto komente duke iu përgjigjur pyetjes së mediave serbe, se çfarë është e nevojshme të bëhet që Gjermania të aktivizojë mbështetjen për Serbinë, në rrugën e saj drejt BE-së.

“Në një moment të caktuar, gjatë negociatave të anëtarësimit, Serbia duhet të pranojë dhe njohë pavarësinë e Kosovës. Dhe, kjo është e rëndësishme të ndodhë para anëtarësimit në BE”, ka thënë Polenc, duke paralajmëruar se “BE-ja nuk do që të përjetojë edhe një Qipro të dytë”.

Duke folur për agjencinë Beta, ai ka përsëritur thirrjet e Gjermanisë që Serbia të heqë strukturat paralele të sigurisë nga veriu i Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme mënyra se si Serbia sillet ndaj serbëve në Kosovë. Ne duam të shohim shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë dhe zvogëlimin e mbështetjes financiare. E dimë se ky është një proces gradual, por ne nuk duam të shohim vetëm paralajmërime dhe fjalë, por edhe vepra”, ka thënë Polenc.

Zyrtari gjerman ka kërkuar po ashtu nga Serbia që t’i përmbahet planit të veprimit, të dakorduar me BE-në, “sidomos kur janë në pyetje reformat e sistemit gjyqësor”.

Ditë më parë, presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulc, ka cilësuar po ashtu njohjen e ndërsjellë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si kusht për anëtarësimin e shtetit serb në BE.
XS
SM
MD
LG