Ndërlidhjet

Kosovë: Vazhdojnë ngushëllimet për Shtetet e Bashkuara


Në Kosovë kanë vazhduar ngushëllimet për Shtetet e Bashkuara, për sulmin në Bengazi të Libisë, gjatë të cilit u vra ambasadori amerikan atje, Kristofer Stivens dhe tre zyrtarë të tjerë amerikanë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ia ka dërguar një telegram ngushëllimi ambasadores amerikane në Kosovë, Trejsi En Xhejkobson, duke e cilësuar aktin e sulmit si “veprim mizor dhe të papranueshëm”.
“Populli i Kosovës, si çdo herë, është edhe sot krah SHBA-ve, për të ndarë dhimbjen me ju”, thuhet në telegramin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Gjatë ditës së djeshme, udhëheqës të lartë politikë e fetarë kanë reaguar ndaj sulmit, duke e cilësuar atë në përgjithësi akt të pajustifikueshëm.

Në këtë kuadër, edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, nëpërmjet një telegrami drejtuar ambasadores amerikane në Kosovë, ka shprehur “solidaritetin e plotë” me familjet e viktimave, qeverinë dhe popullin amerikan.

“Sulmet e tilla janë akte terroriste, që kanë për qëllim ndaljen e proceseve demokratike dhe instalimin e regjimeve ideologjike e kriminale”.

“Sulmi mbi misionin amerikan është sulm mbi vlerat demokratike, universale dhe qytetëruese”, thuhet mes tjerash në telegramin e zotit Tërnava.
XS
SM
MD
LG