Ndërlidhjet

logo-print

Në kërkim të një marrëveshjeje të re


Ceremonia e nënshkrimit të Kushtetutës së Kosovës.

Ceremonia e nënshkrimit të Kushtetutës së Kosovës.

Përmbyllja e suksesshme apo dështimi i reformave zgjedhore dhe kushtetuese, pritet të jetë testi i parë për institucionet e Kosovës pas heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të iniciojë procedura parlamentare, përfshirë edhe thirrjen e interpelancave për shkak të, siç thuhet, moszbatimit të marrëveshjes së liderëve politikë dhe rezolutës së Kuvendit.



Ajo marrëveshje, parashihte që pas reformave kushtetuese, vendi të shkonte në zgjedhje presidenciale diku në fund të këtij viti, kurse pas përmbylljes së reformave zgjedhore, të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare diku në fund të vitit 2013.

Por, pas interpretimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese se një marrëveshje e tillë, sidomos pjesa që parashihte shkurtimin e mandateve ishte anti-kushtetuese, tani presidentja Atifete Jahjaga është deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, pasi që një gjë e tillë “nuk ia lejon Kushtetuta”.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se LDK-ja nuk ka dashur të pengojë proceset që ndërlidheshin me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it, kurse tash kur këto çështje kanë mbaruar, do të kërkojë sërish, sidomos nga PDK-ja dhe presidentja Jahjaga, që marrëveshja të zbatohet.

Ismet Beqiri

Ismet Beqiri

“Do të vazhdojmë që pas kësaj date të vijnë në rend të ditës çështjet, për të cilat jemi marrë vesh, do të thotë marrëveshja dhe rezoluta. Por, ajo që s’kemi çka të ndryshojmë, është ky qëndrim që po e themi në vazhdimësi - marrëveshja dhe rezoluta duhet të respektohen dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”, ka thënë Beqiri.

Komisioni për ndryshimin e Kushtetutës ka propozuar amendamente, të cilat parashihet që në të ardhmen të fuqizojnë rolin e presidentit, i cili sipas këtyre propozimeve, do të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli.

Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ka rrugëdalje nga bllokada e krijuar. Kurse, e ka ftuar edhe presidenten Jahjaga që ta rikonfirmojë se do ta respektojë marrëveshjen, e cila e ka sjellë atë në postin e presidentes së vendit.

“Tejkalimi i kësaj situate do të mund të bëhej vetëm me rikonfirmimin nga presidentja se ajo është e gatshme që ta bëjë tranzicionin demokratik të funksionit të saj në një president të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, pa nevojën që ajo të japë një dorëheqje momentale”.

Arsim Bajrami

Arsim Bajrami

“Po ashtu, edhe kërkesa për deponimin e dorëheqjes së presidentes më duket joserioze, sepse presidentja është lideri numër një i vendit dhe nga ajo nuk mund të kërkohet që të japë dorëzani apo hipotekë mbi deklaratën e saj, sepse do të ishte komprometuese”, ka theksuar Bajrami.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se mendon që edhe një takim i ri ndërmjet liderëve të të gjitha partive parlamentare është i nevojshëm.

Burim Ramadani, deputet i AAK-së është shprehur se një marrëveshje e re është e nevojshme, sikurse që do të jetë i nevojshëm edhe një zotim i presidentes për përmbylljen e reformave.
Vetëm një marrëveshje e re e liderëve politikë është zgjidhje e kësaj situate, në të cilën besojmë se do të duhej të ishte prezent edhe presidentja Jahjaga...
“Vetëm një marrëveshje e re e liderëve politikë është zgjidhje e kësaj situate, në të cilën besojmë se do të duhej të ishte prezent edhe presidentja Jahjaga, e cila do të zotohej në atë lloj marrëveshje se do të japë dorëheqje apo do ta lirojë rrugën në momentin kur ndryshimet kushtetuese e ligjore të jenë gati. Jemi të bindur që presidentja Jahjaga nuk do të jetë pengesë e proceseve”, ka deklaruar Ramadani.

Pas deklarimit të presidentes Jahjaga se nuk do ta japë dorëheqje dhe pozicionit të PDK-së se mendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të sfidohet, LDK-ja ka braktisur punën e komisioneve për reformat zgjedhore e kushtetuese.

Procesi ka mbetur i bllokuar dhe nuk pritet që reformat, edhe nëse konsiderohen të përmbyllura si propozime, të dalin para Kuvendit për miratim, pasi që Kuvendi nuk do të ketë shumicën e nevojshme.

Andaj, zgjidhja mbase mbetet që të kërkohet në bisedime të reja ndërmjet liderëve, që, sipas disa paralajmërimeve, mund të iniciohen ditëve në vijim.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG