Ndërlidhjet

logo-print

Zhbogar: Pas mbikëqyrjes, BE me rol më të madh


Samuel Zhbogar

Samuel Zhbogar

Përfaqësuesi special I Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian merr rol dhe përgjegjësi më të madhe për situatën në Kosovë, në veçanti në lidhje me pozicionin e serbëve.

“Kosova dëshiron që të afrohet me Bashkimin Evropian dhe në këtë rrugë do të shikohet situata e përgjithshme, si zbatimi i të drejtave, e në veçanti i të drejtave të pakicave. Kështu që në të ardhmen do të vazhdojmë mbikëqyrjen e situatës së pakicave, në veçanti të serbëve në Kosovës”, ka thënë Zhbogar për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.

Ai megjithatë, ka thënë se BE nuk ka pushtet që t’i thotë Kosovës se çka të bëjë, por, meqë Kosova dëshiron të shkojë ka BE, do të ketë mundësi që të sugjerojë se çka pret nga Prishtina në këtë drejtim.

Më 10 shtator, Kosova i ka dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, me ç’rast është mbyllur Zyra Civile Ndërkombëtare dhe është shuar posti i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, që deri më tash e ka mbajtur Piter Feith.

Megjithatë, në vend mbetet misioni evropian për sundimin e ligjit(EULEX), që ka për qëllim të mbikëqyrë, monitorojë e këshillojë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, si dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, përgjegjëse për mbrojtjen e vendit.

Ndërsa, vazhdon të funksionojë edhe zyra e UNMIK-ut, por roli i saj është i zbehur që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
XS
SM
MD
LG