Ndërlidhjet

Një vit pas: A e ka humbur rrugën “Pushtimi i Wall Street-it”?

  • Heather Maher

Lëvizja “Pushtimi i Wall Street-it”

Lëvizja “Pushtimi i Wall Street-it”

Lëvizja “Pushtimi i Wall Street-it” ka nisur aktivitetet më 17 shtator të vitit 2011, kur disa qindra aktivistë kanë okupuar një park në qarkun financiar të Menhetenit. Ata kalonin ditët duke protestuar, ndërsa netët në thasë gjumi. Pak njerëz i kishin vënë re.

Por, e gjithë kjo ndryshoi më 1 tetor, kur policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë një demonstratë në Urën e Bruklinit. Brenda natës, protesta lokale kundër pabarazisë ekonomike, shpërtheu në lëvizje globale.

Qindra grupe lokale “pushtuese” shpërthyen nga San Francisko në Singapor. Marshimet paqësore nxorën në rrugë mijëra njerëz - të punësuar dhe të papunësuar, studentë dhe pensionistë.

Një vit më vonë, lëvizja është zhdukur në masë të madhe nga publiku. Disa protestues janë mbledhur në samitin e NATO-s dhe në konventat politike të SHBA-së, por mungesa e saj e shpejtë nga rrugët dhe titujt e lajmeve, ka nxitur shumë njerëz të pyesin nëse “Pushtimi i Wall Street-it” ka humbur shkëlqimin dhe më pas është djegur.

“Mendoj se është një keqkuptim shumë i zakonshëm. Numri i gjërave që ka bërë ‘Pushtimi i Wall Street-it’ është rritur në mënyrë drastike”, thotë Ed Nedam, anëtar i lëvizjes.

Në muajt e fundit, Nedam tregon se aktivistët e lëvizjes kanë qenë të zënë me protestat kundër “normave të larta të interesit” në borxhin personal dhe me mbështetjen për punëtorët grevistë. Ai thotë se ka dhjetëra veprime që ndodhin në çdo kohë dhe se grupet punuese takohen rregullisht për të diskutuar çështjet.

Nedam krahason “Pushtimin e Wall Street-it” me Lëvizjen për të Drejtat Civile, duke thënë se mund të marrë kohë, por në fund do të ketë sukses.

Ndryshimi i status quo-së dhe adresimi i situatës, në të cilën kemi shumë para dhe fuqi në duart e pak njerëzve në shoqëri, do të marrin pak kohë. Ndryshimi nuk do të ndodhë shpejt, sepse do të ketë rezistencë të madhe nga ata pak, që i frikësohen humbjes së pushtetit”, thotë Nedam.

Majkëll Lind, i cili studion çështjet ekonomike në Uashington, jo vetëm që mendon se “Pushtimi i Wall Street-it” ka marrë fund, por ai beson se lëvizja i ka shkaktuar vetë dështimin vetes. Dështimi i saj për të çuar përpara një agjendë të qartë dhe kërkesa specifike, ka demoralizuar mbështetësit dhe ka forcuar mbështetësit e status quo-së, thotë ai.

“Mendoj se një arsye e dështimit është, në masë të madhe, mungesa e programit”, thotë Lind, i cili “Pushtimit të Wall Street-it” i jep të gjitha meritat për bërjen e çështjes së të ardhurave dhe të pabarazisë së pasurisë, pjesë të bisedave kombëtare.

Megjithatë, thotë Lind, lëvizja ka humbur shansin e saj për të bërë ndryshime të vërteta, sepse aktivistët janë shpërndarë në tërë vendin. Sipas tij, lëvizja do të duhej të organizonte marshe masive në Nju Jork ose Uashington, si marshi i Martin Luter Kingut për punë dhe liri, më 1963.

Organizimi thuhet të ketë qenë dobësia më e madhe e “Pushtimit të Wall Street-it”, pasi ai ka përqafuar një “strukturë horizontale”, sipas së cilës askush nuk udhëheq, gjithkush merr fjalën dhe vendimet merren me konsensus. (v.t.)
XS
SM
MD
LG