Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi optimist për Mitrovicën veriore


Zyra Administrative e Qeverisë së Kosovës për Mitrovicën veriore

Zyra Administrative e Qeverisë së Kosovës për Mitrovicën veriore

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur bindjen për krijimin e shpejtë të komunës së Mitrovicës veriore.

Thaçi, në Konferencën III Ndërkombëtare për Vetëqeverisjen Lokale, ka pranuar se sfidat janë të mëdha, për pjesën veriore të qytetit, e cila është e banuar me shumicë serbe dhe nuk e njeh autoritetin e Prishtinës.

“Kam besim se edhe kjo komunë do të krijohet shumë shpejt, dhe gjithnjë duke u bazuar në suksesin e integrimit, në veçanti të komunitetit serb në jug, por edhe komuniteteve tjera në përgjithësi”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përmendur hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, duke thënë se aktualisht, për qytetarët në atë pjesë, kjo zyrë po ofron dokumente bazike, regjistrime, dhe shërbime lokale të nevojshme për jetën e përditshme.

“Kemi qenë të inkurajuar me numrin e madh të të interesuarve, shumica prej të cilëve nga komuniteti serb, që kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë për të udhëhequr dhe shërbyer për komunitetin e tyre. Po ashtu, edhe tani jemi të inkurajuar me numrin e madh të qytetarëve që për çdo ditë i drejtohen kësaj Zyre për nevojat e tyre të përditshme. Prandaj, si përfundim, bazuar në shembujt e suksesit lidhur me decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja në Kosovë, mund të themi se kemi shënuar progres substancial në përmirësimin e klimës ndëretnike dhe integrimin e minoriteteve”, ka thënë ndër të tjera, kryeministri Thaçi.

Me planin për decentralizim është paraparë formimi i komunës veriore të Mitrovicës.

Në fund të muajit gusht është mbajtur takimi përfundimtar i Grupit punues për decentralizimin, i cili me gjithë synimet, nuk arriti që të jetësojë formimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore, siç parashihej me planin Ahtisari.
XS
SM
MD
LG