Ndërlidhjet

Kontrata e reagimeve

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Visent Dezhert, ka thënë se kushtet e parlamentarëve gjermanë paraqesin vetëm “një mendim”, ndërsa vendimin final për nisjen e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE, e marrin shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së.

“Të gjithë e shohim Serbinë në Bashkimin Evropian, por janë 27 vende anëtare dhe po aq parlamente dhe është me rëndësi se çka thonë ata. Por, vendimi për bisedimet merret nga shefat e qeverive e shteteve”, ka thënë Dezhert për gazetarët në Beograd.

Parlamentarët gjermanë një ditë më parë në Beograd kanë thënë se Serbia para se të nisë bisedimet me BE-në për anëtarësim, duhet të nënshkruajnë një kontratë me Kosovën.

Andreas Shokenhof, zyrtar i lartë i Unionit Demokristian (CDU) në një konferencë për gazetarë në Beograd, ka theksuar se partia e tij në Parlamentin e Gjermanisë, do të insistojë, që Gjermania të marrë qëndrim, që Beogradi të nënshkruajë një kontratë obliguese me Prishtinën, për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Ndërkohë, Qeveria e Serbisë nuk ka dhënë sqarime në lidhje me shtatë kushtet e partisë politike gjermane, CDU, për vazhdimin e integrimit në BE, sepse siç ka thënë, bëhet fjalë për qëndrimin e një partie politike dhe jo të Gjermanisë apo të BE-së, transmetojnë mediat serbe.

Nënpresidenti i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Beogradi nuk e ka ditur vetëm për kushtin e shtatë, e i cili ka të bëjë me lidhjen e një kontrate të shkruar për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën, para se të vazhdojë rrugën për integrime.

Ai ka saktësuar se gjashtë nga shtatë kushtet e paraqitura nga përfaqësuesi i partisë më të madhe gjermane, Andreas Shokenhof, janë ditur edhe më herët, por, nuk është përgjigjur direkt, nëse Serbia do ta përmbushë edhe kushtin e shtatë.

Vuçiq ka thënë se për Serbinë është me rëndësi se çka mendon për këto kushte Bashkimi Evropian dhe ka kujtuar qëndrimin e shefit të delegacionit të BE-së në Beograd, Vinsent Dezhert.

Sidoqoftë, Vuçiq ka thënë se nuk duhet mbyllur sytë meqë ndikimi i partisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, është i rëndësishëm dhe i madh.

Parlamentarët gjermanë, një ditë më parë thanë në Beogard se Gjermania do të kërkojë nga Serbia, që para fillimit të negociatave për pranim me Bashkimin Evropian, ta nënshkruajë një kontratë obliguese me Prishtinën, për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Andreas Shokenhof i ka bërë ftesë Beogradit për “ndikim aktiv” në heqjen e strukturave paralele dhe aparatit të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, dhe po ashtu ta ndalë financimin, duke theksuar se kontributi i Beogradit për veriun e Kosovës, sipas njohurive gjermane, është “më i madh se kontributi, të cilin Serbia e merr nga BE”.

Në mesin e shtatë kushteve, politikani gjerman ka theksuar qartësimin e asaj se çka ka ndodhur në vitin 2008 në Beograd, kur në shenjë proteste është djegur Ambasada e Gjermanisë.

Tjetër kusht do të jetë kërkesa nga Serbia për sinjale të qarta “në drejtim të pajtimit në rajon”.

Po ashtu, do të kërkohet edhe realizimi i plotë i rezultateve të dialogut të deritashëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG