Ndërlidhjet

Vulin pa leje në Kosovë, mbështet strukturat paralele


Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin ka deklaruar të premten në Zveçan se është i gatshëm që edhe përballë ndalesës, të vijë dhe t’u tregojë serbëve se institucionet e Serbisë do të mbeten në Kosovë.

“Arsyeja e ardhjes sime është që t’ju tregoj se shteti juaj, Serbia, nuk do t’ju shikojë ndryshe, por vetëm si pjesë e territorit të vet. Kjo nënkupton se institucionet tona mbesin këtu, se shteti do të jetë këtu me kapacitet të plotë”, ka thënë Vulin.

Ai ka marrë pjesë në një seancë të katër komunave veriore të Kosovës, që është mbajtur në Zveçan. Vulin, i cili u dëbua para disa diëtsh nga Kosova, për shkak se kishte devijuar nga agjenda e përcaktuar, duke mbajtur fjalime politike, ka vizituar veriun e vendit, kësaj radhe pa e parlajmëruar vizitën. Nuk dihen detajet e hyrjes së tij në Kosovë.

Serbëve të kësaj pjese, ai iu ka premtuar se do të jenë pjesë e ekipeve të Beogradit në dialogun me Prishtinën.

Në pjesën veriore të Kosovës është më e theksuar prania e strukturave paralele serbe, derisa serbët e kësaj ane vazhdojnë të mos e njohin autoritetin e Prishtinës.
XS
SM
MD
LG