Ndërlidhjet

Obama: S’ka justifikim për sulmet në ambasada


Presidenti Barak Obama

Presidenti Barak Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka thënë se nuk ka justifikim për sulmet ndaj ambasadave amerikane, të kryera nga turmat e zemëruara me filmin anti-islamik.

“E kam bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara kanë respekt të thellë për njerëzit e të gjitha besimeve. Ne mbështesim liritë fetare dhe refuzojmë fyerjen e çdo feje – përfshirë Islamin. Megjithatë, kurrë nuk ka justifikim për dhunën”.

“Nuk ka asnjë fe që fal sulmet ndaj burrave dhe grave të pafajshme. Nuk ka arsyetim për sulmet në ambasadat dhe konsullatat tona. Dhe, për aq kohë sa unë jam komandant i përgjithshëm, Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë kurrë përpjekjet për të dëmtuar amerikanët tanë”, ka thënë Obama.

Presidenti amerikan i ka bërë këto komente gjatë fjalimit javor në radio.

Ai është zotuar se autorët e vrasjes së ambasadorit dhe të tre zyrtarëve të tjerë në Bengazi të Libisë, do të përballen me drejtësinë.

Të nxitur nga një film, i cili është prodhuar në Shtetet e Bashkuara dhe tall Profetin Muhamed, mijëra njerëz të Libisë, Egjiptit, Sudanit, Indisë, Idnonezisë, Pakistanit, Afganistanit dhe vendeve të tjera të botës myslimane kanë vazhduar protestat për të katërtën ditë me radhë.

Një person është vrarë në orët e hershme të së shtunës gjatë përleshjeve me policinë në Kajro. Në Tunizi zyrtarët flasin për një total prej katër personash të vrarë, ndërsa në Sudan për dy.

Përleshjet ndërmjet protestuesve dhe autoriteteve të rendit kanë lënë edhe qindra persona të plagosur.
XS
SM
MD
LG