Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Nuk ka justifikim për sulmet në ambasada

  • RFE /RL

Barak Obama (Foto nga arkivi)

Barak Obama (Foto nga arkivi)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka thënë se nuk ka justifikim për sulmet ndaj ambasadave amerikane, të kryera nga turmat e zemëruara me filmin anti-islamik.

“E kam bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara kanë respekt të thellë për njerëzit e të gjitha besimeve. Ne mbështesim liritë fetare dhe refuzojmë fyerjen e çdo feje - përfshirë Islamin. Megjithatë, kurrë nuk ka justifikim për dhunën”.

“Nuk ka asnjë fe që fal sulmet ndaj burrave dhe grave të pafajshme. Nuk ka arsyetim për sulmet në ambasadat dhe konsullatat tona. Dhe, për aq kohë sa unë jam komandant i përgjithshëm, Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë kurrë përpjekjet për të dëmtuar amerikanët tanë”, ka thënë Obama.

Presidenti amerikan i ka bërë këto komente gjatë fjalimit javor në radio.

Ai është zotuar sërish se autorët e vrasjes së ambasadorit dhe të tre zyrtarëve të tjerë amerikanë në Bengazi të Libisë, do të përballen me drejtësinë.

“Derisa vajtojmë humbjen e tyre, ne duhet t’i dërgojmë një mesazh të qartë dhe të vendosur botës: ata që kanë sulmuar popullin tonë, nuk do të mund të arratisen nga drejtësia. Ne nuk do të hezitojmë në ndjekjen e tyre”, ka theksuar kreu i shtetit amerikan.

Të nxitur nga një film, i cili është prodhuar në Shtetet e Bashkuara dhe tall Profetin Muhamed, mijëra njerëz të Libisë, Egjiptit, Sudanit, Indisë, Indonezisë, Pakistanit, Afganistanit dhe vendeve të tjera të botës myslimane kanë protestuar para misioneve diplomatike të Perëndimit.

Një person është vrarë në orët e hershme të së shtunës gjatë përleshjeve me policinë në Kajro. Në Tunizi zyrtarët flasin për një total prej katër personash të vrarë, ndërsa në Sudan për dy.

Përleshjet ndërmjet protestuesve dhe autoriteteve të rendit kanë lënë edhe qindra persona të plagosur.

Presidenti amerikan ka vlerësuar edhe kontributin e atyre që qëllim kanë “lirinë dhe dinjitetin”.

“Unë e di se imazhet në televizionet tona janë shqetësuese. Por, të mos harrojmë kurrë se pas çdo turme të zemëruar, ka miliona të tjerë që janë të etur për liri dhe dinjitet”, ka thënë Obama.

Policia federale e Shteteve të Bashkuara ka nisur hetimet ndaj regjisorit të filmit që njollos Islamin, për të cilin thuhet se më herët ka qenë i dënuar për krime financiare.

Mësohet se Nakoula Basellej Nakoula është marrë nga shtëpia e tij të shtunën, për t’u takuar me hetuesit.

Këta të fundit do të shqyrtojnë rastin e Nakoulas, i cili është dënuar në vitin 2012 nën akuzat për mashtrim të bankave dhe është ndaluar të përdorë kompjuterë dhe internet si pjesë e dënimit të tij.

Hetuesit do të hetojnë nëse ai ka shkelur dënimin me aktivitetet e tij si figurë kyçe në filmin “Pafajësia e Myslimanëve”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG