Ndërlidhjet

Politika të pafavorshme për sektorin privat


Prishtinë...

Prishtinë...

Pakoja fiskale, mungesa e parasë së gatshme në tregun kosovar, procedurat jo adekuate për eksport të prodhimeve vendore, janë vetëm disa nga problemet, me të cilat ballafaqohen subjektet afariste në vend, thonë pronarë disa kompanive.

Bedri Kasumi, pronar i kompanisë “Pestova” që bën prodhimin, përpunimin dhe shitjen e patates, si barrierë kryesore përmend politikat jo të favorshme fiskale.

“Problemi që duhet të zgjidhet urgjentisht është pakoja e re masave për lirimin nga tatimi i lëndës së parë, ato që nuk prodhohen në Kosovë”, thotë Kasumi.

Edhe subjekti tjetër afarist, fabrika e vajit “ Inter- company” nga Podujeva, në zhvillimin e afarizmit përballet me masa jo të favorshme fiskale. Pronari i kësaj kompanie, Sylejman Konushevci, tregon se tatimi doganor për lëndën e parë dhe shuma e lartë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, nuk lejojnë që produktet kosovare të jenë konkurrente në treg.

“Politika fiskale nuk është në favor të prodhimit vendor apo ekonomisë vendore. Ne nuk jemi të mbrojtur me asgjë. Kosova ka bërë shumë lëshime ndaj shteteve të rajonit, pasi atyre ua ka mundësuar që paranë ta marrë nga Kosova dhe të eksportojë në shtetin e vet”, shprehet Konushevci.

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Financave, tashmë kanë pohuar se në kuadër të hartimit të pakos së re fiskale, ka përgatitur projektligjin për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.

Ndërkaq, si problem tjetër në rritjen e prodhimtarisë së produkteve të tyre, të dy pronarët përmendin mungesën e parasë së gatshme në tregun vendor.

Kompania “Pestova” në masë të madhe mbulon tregun vendor me produktet “Vipa dhe Smoki Chips”

Për këtë, Kasumi pohon se gjatë këtij viti, po vërehet se shumë se subjektet afariste kanë vështirësi në pagesën e faturave për mallin e blerë.

“Kesh-i është shumë më i vogël se më herët. Përfundimisht në vitin 2012 paratë kesh janë shumë më të vogla se në vitin e kaluar. Shumë kompani kanë problem në likuidimin e borxhit, po flas për Kosovë”, tregon Kasumi.

Ky problem po e përcjell edhe kompaninë për prodhimin e vajit “Flori” dhe “Bilur”, thotë Sylejman Konushevci.

“Po i furnizojmë kompanitë, të cilat kanë mungesë të parasë, po ia japim mallin për një periudhë kohore, por kemi problem për inkasim”, pohon Konushevci.

Por, pronarë të kompanisë “Gacaferi Group” që bëjnë prodhimin e mobileve të ndryshme, thonë se kanë tejkaluar problemet që kanë të bëjnë me tregun vendor.

Menaxheri i kësaj kompanie, Naim Gacaferri, si problem thekson procedurat e tepërta doganore për eksport të prodhimeve të tyre, në disa vende të rajonit.

“Ne, deri më tani kemi investuar në kualitet, tani e tutje jemi të përgatitur për tregjet e Bashkimit Evropian. Me Zvicrën nuk kemi pasur problem, me Maqedoninë procedurat janë burokratike, nuk ka lehtësime më të shpejta doganore. Pritja është një pengesë, e cila ndikon në zhvillimin e veprimtarisë së korporatës ‘Gacaferri’ “, thotë Naim Gaceferri.

Edhe asociacionet e Bizneseve në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar mbështetje të sektorit privat, përderisa autoritetet kompetente theksojnë se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të ofruar lehtësi dhe mbështetje për komunitetin e biznesit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG