Ndërlidhjet

Arifi: I kemi realizuar obligimet


Ilustrim
Ilustrim
Para vizitës, së paralajmëruar për të hënën në Maqedoni, të komisionarit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, drejtuesit e institucioneve shprehen të bindur se Brukseli do të vlerësojë pozitivisht të arriturat në përmbushjen e standardeve të mbetura evropiane, që vendi të mund të marrë datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë dialogu aderues me BE-në, që ishte i pari i këtij lloji për Maqedoninë ka dhënë rezultate para së gjithash në sferat që ishin vlerësuar si të rëndësishme në procesin e integrimit.

“Konsideroj se tri çështje kryesore, lidhur me të cilat edhe vlerësimet do të jenë korrekte dhe pozitive, kanë të bëjnë me raportin që kemi dorëzuar sa i përket sfidave lidhur me realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, raport ky që është vlerësuar lart nga Bashkimi Evropian”.

Teuta Arifi
Teuta Arifi
“Ndërkohë, që në seancën e së premtes, Qeveria ka kaluar edhe zgjedhjet ligjore sa i përket shpifjes dhe ofendimit, pra, për dekriminalizimin e këtyre veprave që ishte një prej obligimeve tona kyçe para Bashkimit Evropian. Tjetra ka të bëjë me Kodin zgjedhor dhe financimin e partive politike”, deklaron Arifi, duke i vlerësuar si të rëndësishme këto aspekte që njëherësh, sipas saj, rrumbullakojnë përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Këto tri aspekte mendoj se janë me rëndësi duke pasur parasysh faktin se me këto tri zgjidhje ligjore ne kemi përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian, të cilat faktikisht ata na i drejtuan pas leximit të parë, pasi që ne e dërguan në Bruksel”, shton Arifi, pa u ndalur në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë që është edhe kriteri kryesor për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Arifi thotë se dialogu aderues dhe kushtet e parashtruara në të nuk përfshijnë zgjidhjen e këtij kontesti, pasi forma e këtillë e negociatave është parë si mundësi që Maqedonia t’i përmbushë kriteret tjera dhe të jetë e gatshme për anëtarësim në momentin që do të zgjidhë çështjen e emrit.

Vizita e komisionarit për Zgjerim, Shtefan Fyle realizohet në kohën e tensioneve gjithnjë e në rritje ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar lidhur me propozim-ligjin për zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001 dhe kërcënimeve të BDI-së për braktisjen e Qeverisë, në rast se propozimi miratohet në formën përjashtuese për ish-pjesëtarët e UÇK-së, që po ashtu janë dëmtuar nga konflikti i armatosur.

Gruevski një ditë më parë në prononcimin e tij të parë që nga shpërthimi i krizës qeveritare, qartë bëri me dije se barazim të forcave maqedonase të sigurimit me ish-luftëtarët shqiptarë, nuk mund të ketë, dhe se ligji do të miratohet në formën e propozuar.

Ky kontest mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, krahas çështjeve që kanë të bëjnë me integrimin, do të jetë temë e pashmangshme në takimet e komisionarit për Zgjerim, Shtefan Fyle.

Burime nga partia shqiptare në ekzekutiv thonë, gjithashtu, se BDI-ja do të vazhdojë të përdorë të gjitha format për të parandaluar miratimin e këtij ligji, i cili nuk i shërben së ardhmes së vendit.
XS
SM
MD
LG