Ndërlidhjet

Larg zgjedhjeve në veri të Kosovës


Ura mbi lumin ibër
Ura mbi lumin ibër
Me gjithë synimin e Prishtinës zyrtare për ta integruar pjesën veriore të vendit, qasja aktuale e serbëve të atjeshëm lokalë duket se nuk flet në mbështetje të shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në zonat veriore.

Edhe pse mësohet se brenda dy muajve të funksionimit, Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, i janë drejtuar rreth 700 serbë, sulmi ndaj veturës së një përfaqësuesi të kësaj zyre, thuhet se dëshmon rezistencën ende ekzistuese të një pjese të serbëve karshi integrimit.

Udhëheqësit e lartë të vendit e cilësojnë Zyrën Administrative në veri si platformë në përgatitjen e terrenit për mbajtjen e zgjedhjeve të organizuara nga institucionet vendore.

Mirëpo, shefja e kësaj zyre, Adrijana Hoxhiq, i tha Radios Evropa e Lirë se mbajtjes së zgjedhjeve të lira në zonat në veri të Kosovës do t’u hapej rruga vetëm me shtimin e vullnetit të serbëve për zhvillimin e këtij procesi dhe me rritjen e numrit të partive politike serbe të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Gatishmëria e serbëve të veriut për të mbajtur zgjedhje, sipas saj, do të nënkuptonte mbylljen e Zyrës Administrative në veri.

Adriana Hoxhiq
Adriana Hoxhiq
“Themelimi i komunës së re të Mitrovicës Veriore do të nënkuptonte mbylljen e Zyrës Administrative në veri”, u shpreh Hoxhiq.

Zyra Administrative në veri të Mitrovicës ishte themeluar në muajin korrik.

I ngarkuar me përgatitjen e terrenit për mbajtjen e zgjedhjeve, me të cilat do të krijohej komuna e re e Mitrovicës Veriore ishte, deri atëherë, Ekipi Përgatitor për Decentralizim, i mandatuar nga ekzekutivi kosovar dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.

Ky mision u shua më 10 shtator, me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë, janë shtuar zërat për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje për veriun në kuadër të një dialogu më politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, vlerësoi se parakusht për zbatimin e decentralizimit në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë, do të jetë sundimi i ligjit dhe zhbërja e strukturave paralele serbe që veprojnë atje.

Ai e quajti të dëmshme hyrjen në “pazare politike” për veriun me qeverinë serbe, por vuri në pah rëndësinë që Serbisë t’i kërkohet ndërprerja e destabilizimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Sadri Ferati
Sadri Ferati
“Beogradi duhet ta dijë se po interferon, po destabilizon dhe se ka pasoja në terren për shkak të asaj sjelljeje. E para, duhet të ketë një presion më të madh ndërkombëtar, ndërsa e dyta duhet që strukturat e sigurisë dhe ata që po stimulojnë këtë gjendje, të mos mbesin pa konsekuenca. Duhet të veprojë ligji në atë pjesë”, u shpreh Ferati.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet vatër tensionesh, për shkak të kundërshtimit të banorëve lokalë ndaj autoritetit shtetëror të Kosovës.

Në javën e kaluar, si pasojë e një sulmi të armatosur ndaj një veture të Policisë së Kosovës dhe një të misionit evropian për sundimin e ligjit (EULEX), ishte lënduar një pjesëtare e Policsë së Kosovës.

Nxitës të sulmeve të tilla “të izoluara” thuhet se janë një pjesë e serbëve të veriut “ që janë të interesuar për mbajtjen e status quo-së atje” dhe “që kundërshtojnë kontrollin e plotë nga Prishtina, sikurse atë nga Beogradi”.
XS
SM
MD
LG