Ndërlidhjet

logo-print

Afganistan: Fundjavë e përgjakshme për trupat e NATO-s

  • RFE /RL

Pamje nga një sulm i mëhershëm në Afganistan

Pamje nga një sulm i mëhershëm në Afganistan

Disa trupa ndërkombëtare janë vrarë nga forcat lokale në Afganistan, në të ashtuquajturat “sulme të brendshme”.

NATO-ja ka bërë të ditur se katër ushtarë të saj kanë humbur jetën të dielën, në provincën Zabul.

“Katër pjesëtarë të forcës së NATO-s janë vrarë nga pjesëtarët e policisë afgane. Incidenti vazhdon të hetohet dhe kur të kemi gjetje të reja, do t’ju njoftojmë për to”, ka thënë për agjencinë Reuters, zëdhënësi i Forcës Ndihmëse të Sigurisë në Afganistan, Gunter Kac.

Lajmi pason raportet e një dite më parë, sipas të cilave një polic afgan ka vrarë dy ushtarë britanikë në provincën Helmand.

Kac i ka konfirmuar të dielën edhe këto vrasje.

“Kemi pasur një sulm të brendshëm, në të cilin një pjesëtar i policisë lokale afgane ka vrarë dy ushtarë britanikë. Vrasësi është vrarë gjatë incidentit”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Të paktën 51 pjesëtarë të personelit të huaj janë vrarë këtë vit nga “sulmet e brendshme” në Afganistan.

Ditë më parë, Ministria afgane e Mbrojtjes ka njoftuar se ka arrestuar ose shkarkuar qindra ushtarë afganë, për lidhje të dyshuara me kryengritësit talibanë.

NATO-ja thotë se një e katërta e sulmeve të brendshme besohet se kryhen nga militantët ose luftëtarët talibanë, të cilat kanë infiltruar forcat afgane të sigurisë.

Sipas Aleancës, shumica e sulmeve të brendshme janë rezultat i keqkuptimeve apo dallimeve në kultura.

Të dielën, raportet nga Afganistani thonë se tetë gra dhe vajza kanë humbur jetën nga sulmi ajror i forcave të NATO-s në lindje të vendit. Autoritetet thonë se aeroplanët luftarakë të NATO-s kanë sulmuar në qarkun Alingar të provincës Laghman. Gratë po mblidhnin drurë para agimit.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, disa të plagosura janë shtruar për trajtim në spital - në mesin e tyre edhe një vajzë 10-vjeçare.

Koalicioni i forcave ndërkombëtare, i udhëhequr nga NATO-ja, nuk e ka komentuar ende incidentin.

NATO-ja përgatitet të dorëzojë përgjegjësitë e sigurisë tek ushtarët afganë deri në fund të vitit 2014. Ajo është futur në Afganistan në vitin 2011 pas sulmeve të 11 Shtatorit, me qëllim çmontimin e organizatës terroriste të Al Kaidës dhe largimin e talibanëve nga pushteti afgan. (v.t.)
XS
SM
MD
LG