Ndërlidhjet

Times: Vjeshta arabe


Pamje nga protestat anti-amerikane...

Pamje nga protestat anti-amerikane...

“Pranvera arabe është kthyer në një vjeshtë të stuhishme dhe të përgjakshme. Tërbimi anti-perëndimor i ngjallur nga një video amatore që e ofendon profetin Muhamed, ka rezultuar me vrasjen e ambasadorit amerikan në Libi dhe protestat e dhunshme jashtë misioneve diplomatike që nga Kajro e Tunisi deri te Kartumi e Sana”, shkruan në numrin e së hënës, britanikja “Times”.

Duke potencuar numrin gjithnjë më të madh të civilëve të vrarë në Siri dhe pyetjen, që mund t’ia shtrojnë shtetet vetes se sa kohë, duhet pritur para ndërhyrjes, "Times" shkruan se “kryeqytetet perëndimore që ndihmuan vendet arabe për t’u çliruar nga despotët, po ndjehen të lënduara nga falënderimi që po marrin për përpjekjet e tyre

“Ngjarjet e javës së kaluar kanë shpuar në mënyrë mizore shpresat se trazirat e ‘Pranverës arabe’, mund të shndërrohen në një zhvillim inkurajues. Madje edhe në Egjipt, që dukej se shkonte premtueshëm drejt një jete pa diktator në krye, Mohamed Morsi, presidenti islamik, e dënoi fillimisht filmin e bërë në SHBA, para se me vonesë ta dënonte dhunën e turmës që sulmoi Ambasadën Amerikane në Kajro”, vë në pah britanikja.

"Times" thekson se zgjedhjet në shumë vende të “Pranverës arabe”, ishin të nevojshme, por jo të mjaftueshme në rrugën drejt një demokracie paqësore.

Në këtë kuadër, gazeta sjell shembullin e vrasjes së ambasadorit amerikan Kris Stivens, në Bengazi të Libisë, bashkë me tre amerikanë të tjerë, derisa zgjedhjet parlamentare të korrikut të kaluar nuk arritën të vendosin sundimin e ligjit, sidomos në Bengazi dhe në lindje të vendit, ku milicët xhihadistë të armatosur kanë shfrytëzuar dobësinë e pushtetit për të kryer sulme dhe për të zgjidhur hesapet me zyrtarët që i shërbyen kolonel Gadafit.

Megjithatë, ende ka disa fije shprese dhe optimizmi. Është inkurajuese që presidenti Morsi e dënoi filmin, derisa ishte në një udhëtim në Bruksel, në përpjekje për të vjelë donacione. Ndërsa, Ambasada Amerikane në Kajro ishte duke u rrethuar, nëpër qytet biznesmenët amerikanë po zotoheshin për investime në Egjiptin e ri demokratik. Qeveria libiane ishte e shpejtë në dënimin e vrasjes së zotit Stivens”, shkruan Times.

Egjipti nën presidencën e Vëllazërisë Myslimane mund të mos jetë ende një shembull për një demokraci të moderuar islamike, por ka barrën e përgjegjësisë për ta rindërtuar vendin dhe gjallëruar ekonominë më shumë sesa ta imponojë sheriatin, thekson gazeta.

Në vend së të lajë duart nga këto demokraci të sapolindura, Perëndimi duhet të dyfishojë përpjekjet për t’i mbajtur ato në këtë rrugë”, vë në pah shkrimi.

Sidoqoftë, në rajon vazhdon të mbretërojë një problem i madh. Numri i të vdekurve në luftën civile në Siri tani ka shkuar në 27 mijë, nënvizon "Times".

Pas takimit me presidentin Bashar al-Asad këtë fundjavë, Lakdar Brahimi, ndërmjetësi i ri ndërkombëtar në Siri, e përshkroi krizën në Siri si “një rrezik për popullin sirian, për rajonin, si dhe për të gjithë botën”.

“Politika e Perëndimit për të përcjellë dhe pritur, mund ta ketë nxitur presidentin Asad që të jetë edhe më i pacipë në barbarinë e tij. Sfidues, siç ishte në javën e kaluar, nuk është koha që perëndimi të distancohet nga ky rajon”, porosit "Times".

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG