Ndërlidhjet

Qartësohet çështja e arrestimeve në Bengazi

  • RFE /RL

Sulmues i armatosur në vendin e ngjarjes, bengazi, ku u vra ambasadori amerikan në Libi.

Sulmues i armatosur në vendin e ngjarjes, bengazi, ku u vra ambasadori amerikan në Libi.

Ministri i Brendshëm i Libisë, Fravzi Abdel Al, e ka qartësuar numrin e personave të arrestuar lidhur me sulmin vdekjeprurës kundër Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Bengazi të Libisë, javën e kaluar, duke thënë se janë arrestuar katër vetë.

Ky numër është shumë më i vogël se ai i paraqitur nga lideri i Kongresit Kombëtar të Libisë, Muhamed Magarief, që pati thënë se numri i të arrestuarve është 50.

Ministri Abdel Al tha se mund të ndodhë që numri 50 është paraqitur si referencë për ata që janë të kërkuar për hetime.

“Nuk mendoj se janë arrestuar 50 vetë, por ndoshta ata janë në shënjestër për hetime primare. Ajo që unë e kam, është se janë arrestuar katër vetë dhe se ekziston lista e personave të kërkuar për hetime. Mund të ndodhë që ata janë të kërkuar për hetime ose edhe për arrest. Por, duke dalë përpara me detaje nuk i shërben këtij rasti”, tha ministri Abdel Al.

Sulmi i së martës së kaluar, në qytetin lindor Bengazi, ndodhi gjatë protestave lidhur me një film të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, për të cilën myslimanët konsideronin se tallet me Profetin Muhamed.

Gjatë sulmit është vrarë ambasadori amerikan në Libi, Kristofer Stivens, dhe tre amerikanë të tjerë.

Ministri i Brendshëm, Favzi Abdel Al, tha se duket se sulmi ishte i planifikuar.

“Mendoj se detajet thonë se protestuesit ishin të armatosur dhe këta njerëz kishin armë dhe granata dore. Nuk mendoj se ishte protestë paqësore”, theksoi Abdel Al.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Sjuzën Rajs, në një intervistë në televizionin amerikan, tha se “protesta spontane” në Bengazi shpejt ishte rrëmbyer nga “elementet ekstremiste”.

“Menjëherë pas fillimit të protestës spontane jashtë konsullatës sonë në Bengazi, elemente ekstremiste, individë iu bashkuan përpjekjes me armatim të rëndë, i cili, për fat të keq, tash në Libi pas revolucionit, mund të gjendet lehtë, dhe filloi diçka që ishte shumë më e dhunshme”, tha Sjuzën Rajs.

Ajo theksoi se është e paqartë nëse ekstremistët që gjuajtën me granatë në Konsullatën Amerikane në Bengazi, kanë lidhje me al-Kaidën ose me grupe të tjera terroriste. (f. b.)
XS
SM
MD
LG