Ndërlidhjet

Romni bën komente të turpshme


Mit Romni
Mit Romni
Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Mit Romni, është përballur me një dhimbje të re të kokës.

Në një video që ka dalë në publik, Romni është kapur duke u thënë donatorëve të pasur se “pothuajse gjysma e amerikanëve besojnë se janë viktima”.

Janë 47 për qind e qytetarëve që do të votojnë për presidentin. Janë 47 për qind që mbështesin atë, që janë të varur nga qeveria, që besojnë se janë viktima, që besojnë se qeveria ka përgjegjësi për t’u kujdesur për ta, që besojnë se kanë të drejtë në kujdesin shëndetësor e të tjerë...”, ka thënë Romni.

Sipas tij, 47 për qind e amerikanëve nuk paguajnë as tatime në të ardhura. Dhe, si kandidat për Shtëpinë e Bardhë, Romni ka thënë se “nuk është punë e tij të shqetësohet për këta njerëz”.

Puna ime nuk është të shqetësohem për këta njerëz. Unë kurrë nuk do t’i bind ata se duhet të marrin përgjegjësi personale dhe të kenë kujdes për jetët e tyre”, ka thënë ish-guvernatori i Masaçusetsit.

Fushata e presidentit Barak Obama ka marrë menjëherë videon nga revista “Mother Jones” dhe e ka bërë publike në ditën kur bashkëpunëtorët e Romnit kanë pranuar se kanë nevojë për një ndryshim të strategjisë së fushatës, për të nxitur vrull në garën presidenciale.

Aleatët e presidentit e kanë cilësuar videon si “shokuese”.

Është vështirë të shërbesh si president për të gjithë amerikanët, kur ju përçmoni gjysmën e kombit”, ka thënë udhëheqësi i fushatës së Obamës, Xhim Mesina. Sipas tij, videoja do të vërë edhe më shumë në pah paaftësinë e Romnit për të kuptuar shqetësimet e amerikanëve të zakonshëm.

Në konferencën për gazetarë, Romni nuk ka kontestuar vërtetësinë e filmimit të fshehur. Ai ka bërë përpjekje të sqarojë deklaratat e tij, por nuk ka kërkuar falje.

Presidenti beson në atë që unë e kam përshkruar si shoqëri të qeverisë, ku qeveria luan rol shumë të madh, kujdeset për shumë nevoja të individëve. Ndërsa, unë besoj në nisma të lira, në shoqëri të lirë individuale, ku njerëzit që ndjekin ëndrrat e tyre janë në gjendje të punësojnë njëri-tjetrin, të ndërtojnë ekonominë më të fortë në botë”, ka thënë Romni.

Kandidati republikan, përkundër kësaj, ka pranuar se komentet e tij “nuk kanë qenë elegante”.

Kam folur spontanisht në përgjigje të një pyetjeje. Jam i sigurt se mund ta them në mënyrë më të qartë dhe më efektive. Natyrisht se dua të ndihmoj të gjithë amerikanët. Të gjithë amerikanët kanë një të ardhme të ndritur dhe prosperuese”, ka thënë Romni.

Revista “Mother Jones” ka sqaruar se filmimi ka ardhur nga Florida, duke ruajtur identitetin e autorit.

Presidenti Barak Obama dhe sfiduesi i tij republikan, Mit Romni, do të përballen në zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit.

Sondazhet e fundit tregojnë Obamën me një epërsi të lehtë ndaj Romnit. (v.t.)

XS
SM
MD
LG