Ndërlidhjet

Sulmi në Kabul – “hakmarrje” për filmin

  • RFE /RL

Militantët afganë kanë marrë përgjegjësinë për shpërthimin e një makine bombë pranë aeroportit ndërkombëtar të Kabulit. Dymbëdhjetë persona kanë humbur jetën në sulm, përfshirë të paktën tetë shtetas të huaj.

Grupi kryengritës, Hezb-e-Islami, ka thënë se shpërthimi ka qenë hakmarrje për një film të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, i cili tall Profetin Muhamed. Filmi “Pafajësia e Myslimanëve” ka shkaktuar protesta të zemëruara në gjithë botën arabe.

Sulmuesi vetëvrarës në kryeqytetin afgan – që, sipas Hezb-e-Islamit, ka qenë një grua 22-vjeçare – ka përplasur makinën me eksplozivë për një furgon që bartte punëtorë të huaj të aviacionit.

Të gjithë kanë qenë pilotë civilë, që punonin për kompani private. Derisa kanë qenë rrugës për në aeroport, ka ndodhur një sulm vetëvrasës me makinë-bombë”, ka thënë zëvendësshefi i policisë në Kabul, Daud Amin.

Afrika e Jugut ka kumtuar se disa shtetas të saj janë në mesin e viktimave.

Sulmet vetëvrasëse të kryera nga gratë, janë jashtëzakonisht të rralla në Afganistan, ku madje pak gra ngasin makinën.

Sulmi ndodh një ditë pasi mijëra demonstrues kanë djegur makina dhe kanë hedhur gurë në drejtim të bazës ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Kabul, për të protestuar kundër filmit anti-islamik.

Protestat kanë qenë shpërthimi më i keq i dhunës në Afganistan që nga trazirat e shkurtit, për shkak të djegies së Kuranit nga disa ushtarë amerikanë.

Sot, disa qindra studentë në qytetin verior të Kunduzit janë përleshur me policinë dhe u kanë vënë flakën fotografive të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama.

Dhuna, në të cilën protestuesit kanë pasur në shënjestër ambasadat e Perëndimit në Azi, Afrikë dhe Lindje të Mesme, ka lënë të paktën 19 persona të vrarë.

Në mesin e viktimave është edhe ambasadori i SHBA-së në Libi, Kristofer Stivens, si dhe tre zyrtarë të tjerë amerikanë, të vrarë në një sulm kundër Konsullatës amerikane në Bengazi.

Që nga 11 shtatori, kur edhe ka ndodhur incidenti, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar anije, trupa shtesë dhe forca speciale për të mbrojtur interesat dhe qytetarët amerikanë në Lindjen e Mesme, ku disa ambasada kanë evakuuar stafin po ashtu.

Identiteti i përgjegjësve të drejtpërdrejtë për filmin mbetet i paqartë. Fragmente të “Pafajësisë së Myslimanëve” paraqesin Profetin Muhamed si “gjysmë budalla dhe të dhënë pas grave”, ndërkohë që myslimanët ndalojnë përshkrimin fizik të tij.

Po ashtu është e paqartë nëse sulmi vdekjeprurës në Libi ka qenë i planifikuar më parë apo është nxitur nga filmi anti-islamik.(v.t.)
XS
SM
MD
LG