Ndërlidhjet

logo-print

Shokenhof: Kushtet për Kosovën i kanë ditur të gjithë


Andreas Shokenhof, foto nga arkivi

Andreas Shokenhof, foto nga arkivi

Politikani gjerman Andreas Shokenhof ka deklaruar se partia e tij, CDU, nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën para mbarimit të bisedimeve për anëtarësim me BE-në, por të arrijë një marrëveshje me të cilën do të rregullohej bashkëpunimi ndërfqinjësor.

Shokenhof gjatë një vizite në Beograd në javën e kaluar ka paraqitur kushtet që Serbia duhet të përmbushë për të marrë mbështetjen e partisë gjermane në pushtet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Ai i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve, Beta, se nuk “ka thënë asgjë, që nuk është ditur më parë nga bashkëbiseduesit në Beograd”.

“Të njëjtën porosi ua kemi dhënë edhe qeverisë së kaluar, sikurse edhe parlamentit të atëhershëm. Ajo që është e rëndësishme dhe e qartë, është që vendimin për nisjen e dialogut për anëtarësim në BE e sjell Këshilli i Ministrave të BE-se dhe këtë njëzëri, ndërsa Gjermania lidhet me vendimin e Bundestagut. Prandaj, nuk është vendimtare çka propozon BE-ja, por, për këtë duhet të pajtohet edhe Bundestagu”, ka thënë parlamentari gjerman Andreas Shokenhof.

Në javën e kaluar Shokenhof, ka theksuar se partia e tij në Parlamentin e Gjermanisë, do të insistojë, që Gjermania të marrë qëndrim, që Beogradi të nënshkruajë një kontratë obliguese me Prishtinën, për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Ai i ka bërë ftesë Beogradit për “ndikim aktiv” në heqjen e strukturave paralele dhe aparatit të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, dhe po ashtu ta ndalë financimin, duke theksuar se kontributi i Beogradit për veriun e Kosovës, sipas njohurive gjermane, është “më i madh se kontributi, të cilin Serbia e merr nga BE”.

Në mesin e shtatë kushteve, politikani gjerman ka theksuar qartësimin e asaj se çka ka ndodhur në vitin 2008 në Beograd, kur në shenjë proteste është djegur Ambasada e Gjermanisë.

Tjetër kusht do të jetë kërkesa nga Serbia për sinjale të qarta “në drejtim të pajtimit në rajon”.

Po ashtu, do të kërkohet edhe realizimi i plotë i rezultateve të dialogut të deritashëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
XS
SM
MD
LG