Ndërlidhjet

OIC dënon dhunën në vendet myslimane


Logo e OIC-ut
Logo e OIC-ut
Organizata për Bashkëpunim Islamik(OIC) ka dënuar filmin amator anti-islamik, që ka shkaktuar protesta të dhunshme gjithandej botës myslimane, derisa ka dënuar gjithashtu edhe vrasjen e ambasadorit amerikan në Begazi të Libisë gjatë protestave kundër filmit.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate Ekmeledin Ihsanoglu duke folur në një konferencë për gazetarë në Xhedah të Arabisë Saudite, ka thënë se organizata e dënon filmin dhe informacionet e gabuara që përmban.

Filmi amator i bërë në SHBA, “Pafajësia e Myslimanëve” tall profetin Muhamed.

“E dënojmë fuqishëm vrasjen tragjike të ambasadorit Kristofer Stivens bashkë me tre zyrtarë të tjerë në konsullatën në Bangazi”, ka thënë Ihsnaoglu, duke shtuar se dhuna nuk duhet lejuar assesi.

Ai ka thënë se në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, do të mbahet një takim i ministrave të Jashtëm të vendeve islamike, në të cilin çështja e filmit anti-islamik dhe dhuna që shkaktoi atë të jetë në krye të agjendës.
XS
SM
MD
LG