Ndërlidhjet

Obama kërkon nga vendet islamike t'i mbrojnë amerikanët

  • RFE /RL

Barak Obama

Barak Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama iu ka bërë thirrje vendeve myslimane që të bëjnë më shumë në mbrojtjen e amerikanëve jashtë shtetit pas një serie sulmesh mbi ndërtesat diplomatike amerikane.

Obama ka bërë këto komente në një televizion amerikan.

Protestuesit kanë sulmuar ambasadat amerikane dhe kanë djegur flamuj amerikanë, pasi që një video e bërë në SHBA nxiti një sulm mbi konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, gjatë të cilit u vra ambasadori Kristofer Stivens dhe tre amerikanë të tjerë.

Obama, që ka urdhëruar masa të ashpra sigurie në misionet amerikane, e ka quajtur filmin amator “Pafajësia Myslimane”, që tall profetin Muhamed, si “ofendues”, por ka thënë se ai nuk është justifikim për dhunën.

Ndërkohë, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton ka thënë se janë duke u ndërmarrë hapa për të mbrojtur ambasadat dhe konsullatat në botë.

Ne po ndërmarrim hapa agresivë për të mbrojtur personelin tonë në ambasada dhe në konsullata në tërë botën. Këtu përfshihet rishikimi i sigurisë në misionet tona dhe rritja e sigurisë aty ku ka nevojë”, ka thënë Klinton në një konferencë për gazetarë.

Ajo ka sqaruar se janë duke u zhvilluar hetime të përbashkëta për zbulimin e përgjegjësve për vrasjet në Bengazi.

Ne po punojmë ngushtë me qeverinë libiane në përpjekje për të sjellë drejtësi ndaj atyre që kanë vrarë katër kolegë tanë amerikanë në Bengazi. FBI gjendet tash në Tripoli për t’iu bashkuar hetimeve të zyrtarëve libianë dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme për ne, sesa të sigurojmë përfaqësuesit amerikanë në botë”, ka thënë Klinton.

Në valën e zemërimit të myslimanëve, për shkak të fyerjes së ndjenjave të tyre fetare, e përjavshmja satirike franceze “Charlie Hebdo” publikoi një seri të karikaturave, që tallin profetin Muhamed.

Karikatura në pjesën e pasme të revistës shfaq profetin lakuriq, ndërsa edhe brenda revistës paraqiten imazhe të tjera.

Para publikimit, botuesi i së përjavshmes, që fillimisht ishte një karikaturist i njohur me emrin Charb, tha se imazhet do të “shokojnë ata që duan të jenë të shokuar”.

Ministria e Jashtme e Francës ka urdhëruar rritjen e masave të sigurisë në misionet e saj diplomatike në botë nga frika e reagimit potencial të dhunshëm nga myslimanët e ofenduar.

Feja islame ndalon çdo paraqitje në fotografi, karikatura, apo piktura, të profetit Muhamed.

Një ditë më parë kryeministri francez Zhan Mark Ero ka kërkuar përgjegjshmëri.

Kryeministri konfirmon kundërshtimin e tij përballë çdo eksesi dhe bën thirrje që secili të jetë i përgjegjshëm”, citon AFP një deklaratë të zyrës së tij.

Franca, me të paktën katër milionë myslimanë e ka komunitetin më të madh islamik në Evropë.

Nga trazirat e ditëve të fundit në vendet myslimane, të nxitura nga filmi amator i bërë në SHBA, kanë mbetur të vdekur të paktën 19 persona.

Google që ka në pronësi edhe faqen YouTube, në të cilën janë paraqitur sekuenca nga videoja amatore, ka bllokuar qasjen në film në Libi dhe Egjipt pas dhunës së atjeshme, derisa në Indonezi e Indi, për shkak se videoja shkel ligjet e shteteve përkatëse.

Ndërkohë, Arabia Saudite po e ndalon vetë qasjen në YouTube.

Agjencia zyrtare saudite e lajmeve njoftoi se mbretëria ia ka dërguar një kërkesë kompanisë Google, për të “fshehur” të gjitha lidhjet që përmbajnë videon.

Google nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së AP-së për ta komentuar këtë.(a.i.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG