Ndërlidhjet

NI: Politika e jashtme është politikë e brendshme


Barak Obama dhe Mit Romni

Barak Obama dhe Mit Romni


Shkruan: Nikolas Gvosdev, profesor në Navy War College


Fushata e dy garuesve presidencialë në Shtetet e Bashkuara, presidentit në fuqi, Barak Obama, dhe guvernatorit Mit Romni, është përqendruar shumë në çështjet e brendshme ekonomike dhe politika e jashtme duket të ketë mbetur më anash.

Në këtë drejtim, gazeta “National Interest” shkruan se personeli i fushatës, i cili mendon se këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me politikën e jashtme, është duke i bërë dëm popullit të Amerikës.

Ideja se sjellja e jashtme e Shteteve të Bashkuara nuk ka ndikim në situatën e brendshme të vendit, nuk mund të jetë më e qëlluar, shkruan gazeta.

Sipas saj, asnjëri nga qëllimet që ka paraqitur presidenti Obama ose guvernatori Romni për politikën e brendshme të Amerikës, nuk mund të arrihet në izolim nga politikat e jashtme.

“National Interest” kujton se operacionet e famshme që kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara nga viti 2001, sidomos me fushatat në Irak dhe Afganistan, kanë kapur faturat prej 1.3 trilion dollarësh fonde shtesë, përtej buxhetit bazë të mbrojtjes.

Fondet shtesë në të kaluarën kanë maskuar kostot e vërteta të ushtrisë amerikane dhe të aktiviteteve të rindërtimit në mbarë botën.

Por, sipas gazetës, presidenti do të jetë në një pozicion, ku dëshira për t’u angazhuar në “luftë të zgjedhjes”, do të kërkojë nga ai të shqyrtojë se cilat pjesë të agjendës së brendshme është i gatshëm t’i sakrifikojë, pasi qasja e Amerikës në kredi të lehta jashtë, ka nisur të shtrëngohet.

Një sulm i armatosur në Shtetet e Bashkuara ose një kërcënim ekzistencial ndaj interesave vitalë të Amerikës ka gjasa të nxisë popullatën që të mbështesë sakrificat.

Por, a do të jetë në gjendje elektorati që t’i japë shefit ekzekutiv miratimin për t’u angazhuar në ndërhyrje humanitare në botë, nëse një gjë e tillë do të thotë shkurtime të të drejtave të tyre ose rritje e taksave?

Ndoshta është koha të dëgjohen këshillat e Xhorxh Uashingtonit, shkruan “National Interest”.

Presidenti i parë dikur ka thënë se “sundimi ynë më i madh në raport me kombet e huaja, qëndron në zgjerimin e marrëdhënieve tona tregtare”.

Presidenti Obama ka nisur tashmë të ndërmarrë hapa për të bërë prioritet marrëdhëniet e huaja ekonomike, por një agjendë e tillë vazhdon të jetë lehtë e cenueshme.

Sipas gazetës, Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar po ashtu rajonin e Azi Paqësorit si vend të ardhshëm për sigurinë dhe prosperitetin e Amerikës.

Andaj, si duhet të trajtohet Azia? Xhorxh Uashingtoni edhe në këtë rast ka këshillat e tij.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një rrjet ekzistues të aleancave të sigurisë në rajon dhe kanë ndërmarrë disa angazhime të mbrojtjes.

Dhe, Uashingtoni do të thoshte: përderisa kemi angazhime të formuara, le t’i përmbushim ato me besim të përsosur.

“National Interest” po ashtu flet për një numër mosmarrëveshjesh eksplozive në rajon, sidomos mbi zonat territoriale dhe oqeanike. Sipas gazetës, Amerika duhet të jetë e kujdesshme që të mos manovrohet në një situatë, ku automatikisht mbështet pretendimet e shteteve të tjera mbi ato të Kinës.

Për më tepër, kujton gazeta, disa prej mosmarrëveshjeve janë ndërmjet aleatëve të SHBA-së dhe partnerëve – një pozicion ky i palakmueshëm.

Në këtë rast, “National Interest” thotë se presidenti i ri duhet të ndjekë shembullin e Teodor Ruzvelltit, një apostull i arbitrazhit, dhe të mos marrë rolin udhëheqës në sigurimin e mjeteve për mbrojtje rajonale, të cilat mund të vijnë me çmim shumë të lartë, por të përqendrojë përpjekjet në vendosjen e mekanizmave për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Të dy kandidatët kanë bërë thirrje edhe për pavarësi më të madhe energjetike të Shteteve të Bashkuara, por ky është një realitet që nuk mund të ndodhë pa mbështetjen aktive të partnerëve kryesorë rajonalë, shkruan “National Interest”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG