Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë - Serbi: Dialogu ende i paqartë


Ilustrim

Ilustrim

Derisa në prapaskenë po vazhdojnë përpjekjet për krijimin e një terreni të përshtatshëm për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Prishtinës e Beogradit, zyrtarët e të tria palëve të përfshira nuk jepin publikisht shumë detaje për këtë çështje.

Përkushtimin e saj për ta çuar përpara këtë proces e shprehu në ditë më parë, shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, duke theksuar nevojën për gjetjen e mënyrave përmes të cilave do të përparonin bisedimet.

Në këtë kuadër, Eshton përmendi tensionet e vazhdueshme në atë rajon. Tensione të tilla mbeten ekzistuese në pjesën veriore të Kosovës, ku u panë incidente të ndryshme përgjatë javëve të kaluara.

Veriu dhe çështjet e ndërlidhura më atë pjesë të vendit pritet të jenë temë boshte e dialogut politik ndërmjet palëve, ndërsa njohësit e rrethanave politike në Kosovë e Serbi flasin për nevojën e zbatimit të parakushteve të caktuara para vazhdimit të një dialogu të tillë.

Duke folur për insistimin e Prishtinës dhe të Brukselit që të zbatohen marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të deritashëm “teknik”, drejtori i Qendrës për Politika në Reja në Beograd Vlladimir Todoriq, tha se Serbisë po i kërkohet që të lejojë funksionimin e EULEX-it në veri dhe t’i zhbëjë strukturat e saja paralele nga ajo zonë.

Mendoj se çfarëdo qeveri në Beograd-pa marrë parasysh sa konstruktive apo pragmatike të jetë ajo do të ketë probleme serioze për t’i bindur serbët në veri që të bashkëpunojnë me EULEX-in. Nuk mendoj se mund të arrihet kjo; e vetmja gjë që mund të bëjnë ata është të ndalin fondet”, u shpreh ai.

Gjendja e rënduar ekonomike në Serbi, sipas Todoriqit, e ka vënë në plan të dytë vazhdimin e dialogut me palën kosovare.

Politika “edhe Kosovën edhe BE-në” të cilën e ka ndjekur, deri më tani, ish-presidenti, Boris Tadiq, sipas analistit serb, nuk mund të kryejë punë në etapën e ardhshme të dialogut.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Korab Sejdiu, ndërkaq, vlerësoi se paqartësitë aktuale për vazhdimin e dialogut, formatin, agjendën dhe nivelin e përfaqësimit, janë në interesin e shtetit serb.

Interesat e Republikës së Kosovës, sipas tij, janë dëmtuar nga mungesa e vizionit të udhëheqësve të vendit për ushtrimin e autoritetit në tërë territorin e vendit.

Sejdiu tha se kjo situatë po i shkon për shtati Beogradit zyrtar.

Prandaj ata nuk kanë ndonjë interes të veçantë të tregojnë rezultat, por prej tyre vazhdimisht kërkohet që të kenë qasje të mirë. Ndërsa Kosovës i nevojitet rezultati për t’i zhbllokuar disa procese të tjera siç janë anëtarësimi-jo vetëm në Bashkimin Evropian por edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në organizatat e tjera ndërkombëtare e kështu me radhë”, u shpreh Sejdiu.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja kishte nisur si proces teknik në mars të vitit të kaluar për të rezultuar me gjithsejtë shtatë marrëveshje të arritura brenda nëntë raundeve.

Dialogu ishte ndërprerë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, ndërsa thuhej se do të vazhdonte pas krijimit të qeverisë së re në Beograd.

Ndërmjetësimin e dialogut në fazën politike pritet ta marrë përsipër shefja e diplomacisë evropiane, Eshton, e cila e pat emëruar britanikun Robert Kuper në këtë post për ta kryesuar procesin teknik në vitin 2011.
XS
SM
MD
LG