Ndërlidhjet

logo-print

Komunitetet RAE: Rreth 85 për qind pa shkollim


Ilustrim

Ilustrim

Kushtet e jetesës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë dhe sfidat e tyre të vazhdueshme për qasje në arsimin themelor dhe në kujdesin shëndetësor, mbesin tejet të vështira.

Këto komunitete në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, vazhdojnë të mbesin të paintegruara në shoqëri. Derisa, thuhet se 85 për qind e këtyre qytetarëve, nuk e kanë të kryer shkollën fillore.

Në një konferencë të organizuara nga Ballkan Sunflowers Kosova, me temën “Roli i organizatave joqeveritare në zbatimin e strategjisë për integrimin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian, u theksua se që nga publikimi i kësaj strategjie, autoritetet e Kosovës nuk kanë ndarë një fond për realizimin e objektivave të kësaj strategjie.

Lendrit Qeli nga komuniteti egjiptian është udhëheqës i organizatës joqeveritare “Prosperiteti”. Ai thotë se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të ballafaqohen me sfida nga më të ndryshmet, duke filluar nga shkollimi, shëndetësia dhe riatdhesimi.

“Edukimi është njëra nga sfidat më të mëdha. Pastaj, procesi i kthimit të këtyre qytetarëve që po bëhet nga vendet e Evropës. Krijimi i kampeve për këta qytetarë. Edhe pse Qeveria është kundër këtyre kampeve, ne jemi duke bërë një kamp për strehimin e këtyre qytetarëve që po kthehen në Kosovë. Derisa Qeveria nuk ka buxhet për strehimin e këtyre personave, jemi të detyruar të bëjmë kampe për ta”, thekson Lendrit Qeli.

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, njihen zyrtarisht si komunitet i veçantë në Kosovë, dhe sipas Kushtetutës, gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Në Kosovë llogariten se jetojnë deri në 40 mijë rom, ashkali dhe egjiptianë.

Qeveria e Kosovës ka hartuar strategjinë për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në dhjetor të vitit 2008, ndërsa plani i veprimit për realizimin e kësaj strategjie gjatë viteve 2009-2015, u miratua në dhjetor të vitit 2009.

Drejtori i Organizatës Joqeveritare Ballkan Sunflowers Kosova, Muhamet Arifi, thotë se kjo strategji nuk ka gjetur zbatim dhe kjo për arsye se asnjëherë nuk është ndarë një buxhet për të.

Problem kyç për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, sipas Arifit është mungesa e vullnetit politik.

“Si në ministri, si në komuna nuk është prioritet për askënd situata dhe gjendja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Për të gjithë ata është integrimi evropian, janë serbët, janë gjërat tjera, nuk janë komunitetet RAE. Derisa Qeveria e Kosovës nuk merr obligim, përderisa nuk e marrin si prioritet, këto komunitete do të jenë në këtë gjendje të vështirë. Ne kemi bërë një hulumtim, nga 13 mijë qytetarë të këtyre komuniteteve, prej tyre 85 për qind nuk e kanë kryer shkollën fillore”, thekson Arifi.

Pavarësisht këtyre hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, përfaqësuesit e Zyrës për Qeverisje të Mirë, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, kanë theksuar mjaft të arritura në integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Kelman Sadikaj jep më shumë hollësi:

“Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me drejtoritë komunave me organizatat joqeveritare dhe ndërkombëtare në komunat ku jetojnë këto komunitete, ka zhvilluar aktivitete për zvogëlimin e braktisjes së shkollave dhe rritjen e numrit të nxënësve për t’u regjistruar në shkolla. Shembull i mirë është se për një vit shkollor është rritur numri i nxënësve për 14 për qind në krahasim me vitet paraprake 2009 - 2010”.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG