Ndërlidhjet

SHBA mohon akuzat e Rusisë për USAID-in


Logo e USAID-it
Logo e USAID-it
Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë akuzat e Rusisë se Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-së (USAID) ka ndërhyrë në politikën ruse.

Rusia ka dëbuar USAID-in nga vendi, duke akuzuar organizatën se ka ndërhyrë në punët e saj të brendshme, përfshirë edhe ndikimin në zgjedhje, përmes granteve të saj.

Misionit i është kërkuar të ndalojë operacionet e tij në Rusi më 1 tetor.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nullënd, ka thënë se Uashingtoni “hedh poshtë idenë se mbështetja për shoqërinë civile, demokracinë, të drejtat e njeriut ndikon zgjedhjet në Rusi apo kudo tjetër në botë”.

“Është për keqardhje që qytetarët rusë nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë nga mbështetja e popullit amerikan në fushën e shëndetit, mjedisit etj.”, ka thënë Nullënd.

Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm rus, Aleksander Lukasheviç, ka thënë se shoqëria civile në Rusi është “mjaft e pjekur” dhe nuk kërkon “udhëheqje nga jashtë”.

USAID-i ka qenë në Rusi që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, duke shpenzuar më shumë se 2.6 miliardë dollarë në programet për luftimin e sëmundjeve, mbrojtjen e mjedisit, forcimin e shoqërisë civile dhe modernizimin e ekonomisë.
XS
SM
MD
LG